Presidenti Valter Fushaj deklaron se do të sjellë edhe lojtarë të tjerë cilësorë

Ka bërë realitet një blerje shumë të rëndësishme për skuadrën në këto momente. Valter Fushaj ka mbyllur çdo gjë me Xhevahir Sukajn, i cili dje ka firmosur në zyrën e tij kontratën gjashtëmujore.

Kjo duket se është goditja e parë në merkaton e janarit për Vllazninë. Themi kështu, pasi vetë presidenti i klubit shkodran dje ka bërë publik edhe emrat e tjerë që janë në planet e tij. Janë përgjithësisht emra shumë të bujshëm dhe, nëse do të realizohen ardhjet e tyre, me siguri që shkodranët vështirë se do ta lëshojnë vendin e parë që mbajnë aktualisht në renditje.

Keni bërë realitet kthimin e Sukajt në skuadër. Jeni i kënaqur për këtë?
Sigurisht që jam i kënaqur, sepse ky lojtar ka qenë pjesë e skuadrës deri para pak muajsh dhe për rrjedhojë ne ia njohim mirë vlerat, ashtu siç e njeh edhe ai skuadrën.

Me ardhjen e tij mund të them se kemi blinduar repartin e sulmit, sepse së bashku me Sinanin, mendoj se përbëjnë dyshen më të mirë sulmuese të kampionatit, të paktën në letër.

Ka qenë e vështirë arritja e kësaj marrëveshjeje?
Vështirësitë kanë qenë të mëdha, sepse nuk është e lehtë të arrish një marrëveshje të tillë. Por falë marrëdhënieve mjaft të mira që kemi me klubin turk të Haxhetepes, me të cilin Vllaznia është edhe e binjakëzuar, u bë e mundur huazimi deri në qershor i Sukajt.

Nga ana tjetër, në arritjen e kësaj marrëveshjeje, dua të përmend edhe dashamirësinë e lojtarit për të luajtur sërish me Vllazninë, e cila bëri të mundur ardhjen e tij.

Po të tjerët që do të vijnë cilët do të jenë?
Jemi duke punuar në disa pista dhe për rrjedhojë po shohim interesat më të mëdha të sulmit. Më konkretisht jemi në bisedime për zgjatjen e kontratës së Beqirit, po mundohemi të marrim edhe Telin nga klubi i Haxhetepes e po ashtu nuk kemi hequr dorë as nga futbollisti malazez Vukçeviç.

Janë tre lojtarë për një rol, mund të merren të tre?
Dëshira është që të paktën dy prej tyre të jenë pjesë e Vllaznisë në pjesën e mbetur të kampionatit.

Se çfarë do të ndodhë, kjo mbetet për t’u parë, por me siguri që do të bëjmë lëvizjet e duhura. Duhet të mendojmë se do kemi edhe dëmtime apo lojtarë që do ndëshkohen me kartonë. Për këtë arsye, po mendojmë që të kemi një organikë sa më të plotë për pjesën e mbetur të sezonit.

Keni hequr dorë nga futbollisti ganez dhe ai brazilian që priteshin të vinin te Vllaznia?
Jo, nuk kemi hequr dorë prej tyre. Mbrojtësi brazilian do bashkohet këto ditë me skuadrën në stërvitje në Ulqin dhe do vihet në dispozicion të stafit drejtues për të parë vlerat e tij.

Sa për sulmuesin ganez, mund të them se jemi në bisedime paraprake për kushtet financiare të kontratës, sepse ai nuk dëshiron më parë të dijë për to, para se të vendosë për të ardhur, ngaqë sipas të dhënave që kemi, bëhet fjalë për një lojtar cilësor.

Gjithë këto lëvizje bëhen për një Vllazni kampione?
Pa diskutim që po. Jemi duke kërkuar të marrim lojtarët cilësorë më të mundshëm që janë në treg, sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivin për të dalë kampionë. Jemi në rrugë të mbarë dhe duhet të përkushtohemi maksimalisht për këtë gjë.

Presidenti, ai që ka meritat më të mëdha

Ka bërë çdo gjë perfekte deri tani në këtë sezon. Në fillim shumëkush e paragjykoi për lejimin e largimit të treshes Sukaj Teli Lika drejt Turqisë, por zëvendësimi i tyre u bë në mënyrë perfekte me lojtarë të tjerë. Pa harruar faktin tjetër se përfitoi një shumë të konsiderueshme nga largimi i asaj tresheje.

Njëkohësisht “fitoi” edhe binjakëzimin me dy klube të tjera. Shumëkush nuk mendoi drejt dhe nuk e kishte të qartë se çfarë përfitimi do kishte Vllaznia nga një binjakëzim i tillë. Përfitimi megjithatë u pa qartë se cili është këto ditë.

Haxhetepe ia la të lirë Sukajn deri në qershor, për ta ndihmuar skuadrën shkodrane për të dalë kampione dhe një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me Telin në ditët në vijim.

Këto lëvizje vërtetojnë edhe një herë faktin se presidenca e Vllaznisë po tregohet shumë perfekte në menaxhimin e skuadrës. Këtu natyrisht që meritën më të madhe e ka presidenti Fushaj, që po tregohet një profesionist i vërtetë në drejtimin e klubit.

Në klubin shkodran, pikërisht për këtë arsye, janë kundër mendimeve që specialistë të ndryshëm shkodranë kanë shfaqur në një emision televiziv, teksa vlerësonin më shumë punën e bërë nga stafi drejtues dhe futbollistët sesa atë të presidencës. Në fakt, nëse Vllaznia është kjo që është, merita më e madhe i takon një njeriu: Valter Fushajt.

Kuqeblutë në kërkim të miqësores së parë

Pas dy ditësh që kanë mbërritur në Ulqin për të zhvilluar fazën përgatitore, drejtuesit e Vllaznisë janë vënë në kërkim të një kundërshtari për një ndeshje miqësore.

Kështu, nga sa bëhet e ditur, ata janë në bisedime me disa ekipe kryesisht malazeze, por ndërkohë shkodranët po presin që gjatë këtyre ditëve në Ulqin të shkojnë edhe disa ekipe shqiptare, në mënyrë që miqësoren ta zhvillojnë mes tyre.

Me shumë mundësi takimi i parë miqësor për kuqeblutë do zhvillohet të mërkurën dhe i pranishëm do jetë edhe presidenti Fushaj, që do të shohë nga afër gjendjen e ekipit të tij.