Ekipi shkodran, pasi ka marrë pak “frymë” nga mosluajtja e ndeshjes së kupës me Teutën në mesjavë, ka filluar të mendojë për takimin e nesërm me Apoloninë. Sigurisht, për këtë ballafaqim nuk lejohet asnjë hap fals, ngaqë Vllaznia ndodhet në vendin e parë të renditjes dhe, si e tillë, do të bëjë çmos ta ruajë sa më shumë atë. Sesa do t’ia arrijë, kjo mbetet për t’u parë, sepse situata nuk është aq shumë entuziaste në kampin kuqeblu. Kjo si pasojë e disa mungesave që skuadra do të ketë për këtë ndeshje. Kështu, të sigurt që do të mungojnë janë plot 4 futbollistë titullarë, madje nga më të rëndësishmit e formacionit. E kemi fjalën për Sinanin, Dhëmbin, Kaçin e Belishën. Pa lënë mënjanë edhe faktin tjetër se Grima e Lici kanë jo pak probleme me dëmtimet e tyre dhe, nëse do të luajnë, nuk do të jenë në formën më të mirë të tyre. Në këtë mënyrë, trajneri Canaj duket shumë i shqetësuar nga këto mungesa. Më shumë sesa kaq lojtarë të pamundur për të luajtur, nuk ka pasur në asnjë ndeshje të mëparshme, ndonëse mungesat kanë qenë gjithnjë të pranishme te Vllaznia e këtij edicioni. Duke qenë kështu, duket se tashmë i ka ardhur radha të luajë nga fillimi edhe Hotit, që këtë kampionat ka gjetur shumë pak hapësira në formacion. Po ashtu, pritet që të jetë në formacion edhe Shtubina, lojtari që u dha fitoren shkodranëve në ndeshjen e fundit me Partizanit me atë gol shumë të bukur që shënoi. Ky lojtar mendohet të jetë partneri i ganezit Boadu në vijën e parë të skuadrës shkodrane për këtë ndeshje. E vetmja dilemë nëse do të luajë me këtë mënyrë apo jo, duket se është sulmi. Ngaqë kuqeblutë nuk kanë asnjë nga titullarët e sulmit të gatshëm, stafi drejtues do të eksperimentojë sërish. Mund të luajë edhe Rraboshta, 18-vjeçari që vjen nga të rinjtë dhe Shtubina të kthehet në mesfushë. E sigurt është që Vllaznia në këtë ndeshje do të ketë emra të rinj në formacion dhe kjo e rrit koeficientin e vështirësisë për të marrë maksimumin e mundshëm në këtë takim. Megjithatë, Canaj nuk duket se heq dorë kollaj nga pretendimi për të ruajtur vendin e parë të renditjes. “Duke parë se kemi shumë mungesa, u kam kërkuar lojtarëve të tjerë të skuadrës që të japin 100 për qind, por edhe 10 për qind më tepër në këto ndeshje që na kanë mbetur deri në fund të këtij viti, sepse na duhet të zëvendësojmë lojtarët e dëmtuar. Skuadra ka reaguar mirë në çdo ndeshje që kemi zhvilluar deri tani dhe besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë radhë, teksa do të pretendojmë që të mos e lëshojmë vendin e parë që kemi në renditje,” ka thënë ai. Në këtë mënyrë, Vllaznia vërtet kërkon të udhëtojë drejt Fierit me autoritetin e skuadrës kryesuese të kampionatit, por problemet brenda saj janë jo të vogla dhe për këtë arsye mbetet për t’u parë se çfarë vlerash ka stoli i saj. Një skuadër që kërkon titullin, sigurisht që duhet të ketë edhe një stol të fortë. Kështu është thënë gjithnjë dhe nuk ka pse të jetë ndryshe edhe këtë herë.
Sporti Shqiptar
Sporti Shqiptar