Skuadra e Vllaznisë ka fituar me rezultatin 2-1 kundër Partizanit në takimin e luajtur sot pasdite në stadiumin “Loro Boriçi”, të qytetit, duke u klasifikuar kështu në vendin e parë në javën e 13-të të superligës.
Ndeshja e luajtur në një terren të rënduar nga reshjet intesive të shiut gjatë gjithë minutave, ka qenë shumë e fortë nga të dyja skuadrat.
Partizani bëri të gjitha përpjekjet për të marrë një pikë, por edhe pse ka arritur të barazojë në pjesën e parë me golin e shënuar nga Bakaj, nuk ka mundur ta mbajë këtë rezultat, sepse në minutën e ‘86 një gol i dytë i Vllaznisë i shënuar nga Shtupina ka mbyllur takimin në favor të shkodranëve.
Kjo fitore e rendit Vllazninë në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, pasi rivalja e saj Tirana është mundur në kryeqytet nga Teuta e Durrësit.
Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, tha se “pvarësisht mungesave të dy futbollistëve të ekipit shkodran, Sinani dhe Kaçi, të dëmtuar prej dy javësh, Vllaznia arriti të fitojë këtë takim”. Sipas tij, tani Vllaznia do të përqëndrohet tek ndeshja e radhës, që i përket Kupës së Republikës, ku do të ketë një ndeshje të vështirë me Teutën e Durrësit.
Ndërsa trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, tha se” rezultati më i drejtë do të ishte barazimi, për të cilin kanë luftuar shumë deri në fund të takimit dhe pikërisht atëherë janë ndëshkuar me golin e Shtupinës”.
Ai u shpreh se “lojtarët bënë më të mirën e tyre në këtë ndeshje dhe e meritonin të merrnin një pikë. Rezultati humbës na krijon përsëri probleme, pasi pozitat tona janë të rënduara në tabelën e klasifikimit”.

Komentet