Shumëkush mund ta mendojë ndeshje të lehtë këtë me Partizanin për ekipin e Vllaznisë. Arsyet janë të shumta, por mund të kenë të bëjnë me diferencat që ekzistojnë mes dy skuadrave, jo vetëm në renditje. Pavarësisht këtyre faktorëve, trajneri Agim Canaj mendon ndryshe. Në fund të fundit, do të luhet ndaj një skuadre me emër dhe kjo mjafton për t’i kushtuar rëndësi maksimale. “Partizani mund të ketë një vend poshtë në renditje sot, por nuk duhet të harrojmë kurrsesi se luajmë ndaj një skuadre me emër dhe traditë. Si e tillë, duhet vlerësuar maksimalisht dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta konsiderojmë një ndeshje të lehtë. Nëse mendojmë kështu, mund të kemi pasoja, që në këtë periudhë të kampionatit, kur ndodhemi vetëm një pikë larg kreut, do të jenë fatale,” ka thënë ai.

 Edhe presidenti Valter Fushaj, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë në këtë linjë. Kuptohet, është shumë i kënaqur me ecurinë e Vllaznisë në ndeshjet e fundit, por, sipas tij, asnjëherë nuk duhet kaluar në eufori. “Po bëjmë vetëm detyrën dhe vendi i dytë në renditje nuk duhet të na kënaqë, përkundrazi, duhet të na impenjojë më tepër për të kapur vendin e parë, sepse mundësitë janë. Për këtë arsye, pres nga ekipi që ta vlerësojë drejt çdo ndeshje, duke nisur që nga kjo me Partizanin, sepse vetëm kështu mund të arrijmë objektivat që kemi,” ka theksuar Fushaj. Ambienti në radhët e kuqebluve duket shumë entuziast, madje aq sa askush tani nuk mendon për mungesat apo kontigjentin e reduktuar.

Të gjithë duan fitoren dhe tifozët shkodranë ia kanë vënë si detyrë këtë gjë skuadrës së zemrës. Me një fitore ndaj Partizanit dhe një ndalesë të mundshme të Tiranës me Teutën, i bie që Vllaznia ta shohë veten në krye të renditjes. Por për të festuar duhet ende kohë dhe për këtë arsye, vetë futbollistët dhe stafi drejtues, janë duke parë vetëm ndeshjen me skuadrën e kuqe. Të paktën nga ajo çfarë është parë nga seancat stërvitore të kësaj jave, trajneri Canaj ka ndër mend ta nisë këtë ndeshje me të njëjtin formacion si ndaj Tiranës. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë ndryshim, as në skemë dhe as në emra. E sigurt është që sulmuesi Sinani do të jetë i pamundur dhe tashmë kjo nuk është e re.

Megjithatë, pjesëtarët e Vllaznisë janë të bindur se goli edhe në këtë takim nuk do të jetë asnjë problem, sepse dikush do të shënojë. Atmosfera rreth e qark skuadrës tashmë është shumë më entuziaste se disa javë më parë dhe të gjithë kanë filluar të mendojnë për titullin. Kuptohet që edhe interesimi për ecurinë e kuqebluve duket më i madh. Këtë e tregoi më së miri fakti, që të dielën, në ndeshjen me Tiranën, në shkallët e “Qemal Stafës” kishte më shumë shkodranë se tiranas.