Shkodranët e kanë kaluar momentin e keq, ndërsa për verdheblutë rikthehet humbja
Vllaznia - Elbasani 2 - 0
Shënues: Sinani 15′, Dhëmbi 58′
Vllaznia: Grima, Smajli, Bashiç, Beqiri, Belisha, Boadu (Shtubina 82′), Osja (Hoti 77′), Nallbani, Doçi, Dhëmbi (Bala 77′), Sinani. Trajner: A.Canaj.
Elbasani: Osmani, Vrapi, Sheta, Kacollja, Memetaj, Bakalli (Bejzade 50′), Merxha, Thana, Hyshmeri (Baliç 65′), Ahmataj, Abazaj. Trajner: M.Josa.
Gjyqtarë: L.Jemini, S.Avdo, G.Qirici (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Smajli, Bashiç, Ahmataj
“Radiografia”
8′- Smajli tenton për të goditur në hyrje të zonës, por topi përfundon jashtë.
14′- Boadu vepron bukur nga e djathta, pason te Dhëmbi brenda zonës, por gjuajtja e këtij të fundit nuk është ashtu siç duhet dhe pritet nga Osmani.
15′- Rivënie anësore për Vllazninë. Doçi pason te Sinani, që nga 18 19 metra gjuan në mënyrë të përkryer, duke e dërguar topin në rrjetë. 1 0 për Vllazninë.
18′- Nallbani gjuan tokazi, por pret Osmani.
25′- Goditje këndi për Vllazninë. Ahmataj, në përpjekje për të larguar topin nga zona e tij, për pak sa nuk e dërgon në rrjetën e Osmanit.
28′- Sinani, thuajse në të njëjtin pozicion si në rastin e golit, gjuan sërish, por këtë herë topi përfundon mbi traversë.
36′- Smajli gjuan fort nga jashtë zone, pret Osmani.
37′- Provon Sinani sërish dhe këtë herë Osmani e grushton topin me mjeshtëri.
38′- Top i gjatë për Abazajn pas shpinës së mbrojtjes shkodrane. Grima ka dalë nga porta dhe mbërrin para tij, por topi shkon në këmbët e Ahmatajt, që nga jashtë zone tenton portën, por topi preket nga Beqiri dhe përfundon jashtë vijës fundore.
45′- Tjetër top i gjatë për Abazajn, sërish del saktë Grima, që largon topin dhe shpëton portën e tij.
54′- Goditje dënimi për Elbasanin. Topi shkon në zonën e Vllaznisë dhe për pak sa nuk përfundon në portë.
55′- Tjetër goditje dënimi për miqtë. Topi këtë herë goditet me kokë nga Bejzade, por pret Grima.
58′- Një top i ardhur nga mesfusha për Dhëmbin zotërohet mirë nga korçari, që në qendër të mbrojtjes mike, arrin të dalë para portierit Osmani dhe ta dërgojë topin në rrjetë. 2 0 për Vllazninë.
65′- Boadu ka kaluar në mënyrë të shkëlqyer Shetën në krahun e djathtë dhe ka kërkuar Sinanin brenda zone, por topi nuk ka mbërritur dot tek ai.
86′- Sinani hyn në zonë, godet fort me të djathtën, por vetëm rrjetë e jashtme.
Komenti
Vllaznia rikthehet te fitorja pas tri javësh dhe njëkohësisht në kampin shkodran rikthehet qetësia. Ndaj Elbasanit shkodranët dje nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim fitoren, teksa kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje dhe njëkohësisht kanë pasur edhe raste të tjera shënimi.
Por duhet pranuar edhe fakti se Elbasani ka bërë shumë pak për të marrë pikë në “Loro Boriçi”. Një fitore 2 - 0 që e ngjit Vllazninë në kuotën e 15 pikëve, por megjithatë duket qartë se kuqeblutë kanë ende për të bërë për të gjetur formën e tyre më të mirë. Loja dje nisi me një epërsi të vendësve, të cilët duken qartë se dëshirojnë t’i lënë pas dy rezultatet e fundit jopozitive.
Mungesat e Licit dhe Kaçit nuk ndihen shumë edhe për faktin se trajneri Canaj këtë herë ka vendosur të ndryshojë edhe skemën e lojës, teksa nuk luan më me katër mbrojtës, por me tre, duke i dhënë përparësi mesfushës.
Për rrjedhojë, Sinani e Dhëmbi duket se furnizohen më mirë me topa dhe pas 2 3 rasteve të para, do të vijë edhe goli i parë. Sinani ka treguar se di ta bëjë mirë punën e tij dhe e ka dërguar topin në rrjetë, duke shënuar një gol shumë të bukur.
Pas tij do të ketë sërish raste të Vllaznisë për të shënuar edhe golin e dytë, por kjo nuk arrihet dhe në 10 minutat e fundit të pjesës së parë kemi një zgjim të miqve, që me anë të Abazajt dhe Ahmatajt gati sa nuk barazojnë, por ndalen nga Grima. E para mbyllet 1 - 0.
Fillimi i së dytës përkon me hedhjen në fushë të Bejzades nga Josa dhe kjo lëvizje gati sa nuk jep rezultat në minutën e 55-të, kur “Arusha” me kokë gati sa nuk e dërgon topin në rrjetë. Atë që nuk e bëri ai, do ta bënte Dhëmbi.
Korçari dëshiron të mos e lërë Sinanin t’i shkëputet sa u takon golave të shënuar dhe për rrjedhojë ka shënuar edhe ai të pestin në këtë kampionat. Ky gol do të mjaftonte për t’i dhënë fund këtij takimi, sepse elbasanasit nuk bënë asgjë më pas për të ngushtuar rezultatin.
Epërsia me dy gola i dha mundësinë Canajt që të aktivizonte edhe dy të rinjtë, Shtubinën dhe Balën, që bënë një paraqitje të mirë në këtë ndeshje. Përfundimisht, një fitore e merituar e Vllaznisë, që menjëherë ka filluar të mendojë për ndeshjen e radhës me Lushnjën, ndërkohë që Elbasani duket qartë se ka probleme, pa harruar këtu që javës tjetër një tjetër ndeshje “ferri” e pret, pasi do të presë Tiranën e fortë.
Deklarojnë:
Agim Canaj, trajner i Vllaznisë: “Luanim përballë Elbasanit, një rivali direkt, dhe për pasojë fitorja merr vlera dyfishe. Mendoj se ishte një fitore e pastër, e cila nuk u vu asnjëherë në dyshim. Ishte e qartë se ekipi kishte tension, por këtë ndeshje e zgjidhi mirë.
Sidomos në pjesën e dytë luajtëm më qartë dhe kjo na shërbeu për të aktivizuar edhe lojtarët e rinj. Një fitore e tillë do të na ndihmojë për t’u qetësuar për momentin dhe më pas do fillojmë të mendojmë për ndeshjen e radhës me Lushnjën.”
Mirel Josa, trajner i Elbasanit: “Ndeshja filloi me ritëm të ulët nga ana ekipit tonë dhe kjo u shfrytëzua nga Vllaznia, e cila ka në radhët e saj lojtarë shumë të mirë, që dinë t’i zgjidhin fatet e ndeshjes. Në minutat e fundit të pjesës së parë patëm 3 raste për gol dhe nuk i shfrytëzuam.
Ekipi im luajti me njëfarë inferioriteti dhe e them me plot bindje se nuk meritonte pikë në këtë ndeshje. Nuk jam fare i kënaqur nga skuadra. Falënderoj tifozët shkodranë për mikpritjen, por unë sot jam trajneri i Elbasanit dhe i shërbej punës sime.”
Të veçanta:
- Numri i tifozëve shkodranë në “Loro Boriçi” dje nuk e ka kapur shifrën 1500 veta. Siç duket, ata vazhdojnë të jenë të ftohur me skuadrën e tyre pas oshilacioneve të shumta që janë duke treguar në kampionat.
- Me duartrokitje është pritur Mirel Josa nga tifozët shkodranë në ndeshjen e djeshme. Ata ruajnë ende respekt për punën e këtij trajneri në Shkodër për një vit e gjysmë.
- Loja në minutat e para të ndeshjes është ndërprerë dy herë për raste të çuditshme. Fillimisht sepse i është prishur flamuri anësorit Qirici, derisa ai mori një tjetër dhe më pas sepse një nga flamujt e këndit ka dalë nga shkopi mbajtës dhe ka fluturuar në fushën e lojës.