Ekipi kuqeblu kërkon edhe mbështjetjen e tifozëve, duke mos e paragjykuar për lojën
Kohët e fundit është vërejtur një ftohje disi e raporteve mes tifozëve kuqeblu dhe ekipit të Vllaznisë. Nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë braktisje përfundimtare mes tyre, por gjithsesi në ndeshjen e fundit, që është zhvilluar në “Loro Boriçi”, atë ndaj Bylisit, kanë qenë të pranishëm shumë pak tifozë. Kuptohet që kjo ndodhi ngaqë shkodranët janë shumë të ndjeshëm: ata mbi të gjitha duan lojë të bukur.
Madje më shumë sesa ndoshta edhe pikët. Mjafton të marrim si shembull për këtë, ndeshjen e parë të kampionatit, atë me Tiranën, që përfundoi në barazim 0 0. Askush nuk tha pas asaj ndeshje se pse nuk fitoi Vllaznia? Ndodhi kështu ngaqë loja e zhvilluar në fushë ka qenë shumë e bukur. Por ndaj Apolonisë fillimisht, pastaj Flamurtarit dhe në fund ndaj Bylisit, skuadra ka zhgënjyer.
Për rrjedhojë, shumë pak tifozë kanë qenë në shkallët e stadiumit. Madje mund të themi se gati po aq sa në Shkodër ndaj ballshiotëve, kishte në Tiranë ndaj Dinamos. Mbase vetë sfida ndaj kampionëve në fuqi i ngacmonte në vetvete për të qenë prezentë në atë 90-minutësh dhe në fund të tij, Vllaznia nuk ka zhgënjyer. Përkundrazi, ka zhvilluar një takim shumë të mirë dhe barazimi që mori, ishte minimumi për të. Sakaq, nesër është ballafaqimi i radhës me Shkumbinin.
Drejtuesit e klubit të Vllaznisë prej ditësh duken të angazhuar për të motivuar ardhjen e tifozëve në stadium. Arsyeja është se skuadra ka nevojë për mbështetjen e tyre. Madje shpeshherë këta tifozë janë konsideruar lojtari numër 12 i skuadrës shkodrane. Ajo aktualisht ndodhet në vendin e dytë të tabelës së renditjes dhe për rrjedhojë pikësynimi është për të kapur Tiranën që kryeson. Kuptohet që kjo nuk do të jetë e lehtë, por edhe jo e pamundur. Duke pasur pranë edhe tifozët e zjarrtë kuqeblu, ky objektiv bëhet edhe më i arritshëm. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit shkodran duan që në ndeshjen me Shkumbinin numri i tifozëve në “Loro Boriçi” të jetë i madh. Mbase edhe për t’u treguar peqinasve shembullin se si duhet mbështetur skuadra në stadium. Këtë gjë e kanë kërkuar edhe lojtarët e Vllaznisë, të cilët përmes portierit Armir Grima, u kanë kërkuar të jenë në stadium. “Së bashku me tifozët tanë, mund ta kemi më të lehtë arritjen e objektivave që ka klubi. Edhe mund t’i kemi zhgënjyer, por jemi në vend të dytë dhe për pasojë na duhet edhe një shtysë më tepër prej tyre për të pretenduar vendin e parë,” ka thënë ai.
Në Shkodër përgjithësisht jetojnë me futbollin. Edhe nëse nuk shkojnë në stadium, banorët e këtij qyteti janë mjaft të ndjeshëm ndaj futbollit, ndaj fitoreve dhe humbjeve të skuadrës së tyre, Vllaznisë. Por vetë pjesëtarët e saj duan që këta tifozë të jenë në shkallët e stadiumit, duke filluar nga sfida me peqinasit. Vendi i parë është vetëm një hap larg dhe së bashku mund të ëndërrojnë titullin pas plot 8 vjetësh.
Komentet