Trajneri Agim Canaj është më optimist se herët e tjera, sepse sheh më shumë mobilizim
Skuadra shkodrane që nga e hëna ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës me Shkumbinin. Në kampin kuqeblu duket qartë se vlerësimi për këtë takim është në lartësinë e duhur. Në fakt, vetë drejtuesit e Vllaznisë nuk do të kishin dashur që kampionati të ndërpritej pas ndeshjes shumë të mirë që kanë zhvilluar me Dinamon, sepse morali në ato momente ka qenë i lartë te të gjithë futbollistët.
Trajneri Agim Canaj e vlerëson këtë gjë si jo shumë pozitive, gjithsesi është munduar ta bëjë gati skuadrën në kushte të tjera. “Gjatë kësaj periudhe jemi stërvitur fort. E konsiderojmë një ndeshje shumë të rëndësishme përballjen me Shkumbinin. Kjo sepse tashmë kjo skuadër po luan mirë si në ndeshjet brenda, ashtu edhe ato jashtë fushës së saj. Shkumbini ka bëtë gjithmonë surpriza dhe prandaj duhet t’u ruhemi këtyre gjërave, sepse do të ishte e pafalshme për ne të gabonim,” ka thënë në fillim të konferencës së tij të djeshme për shtyp trajneri i Vllaznisë.
Më pas, duke folur në lidhje me problemin e dëmtimeve në skuadër, ai është dukur shumë i kënaqur se më në fund ato po marrin fund njëherë e mirë. Të paktën për këtë periudhë, sepse duhet pranuar që deri tani ato kanë qenë të shumta. “Jam shumë i kënaqur që problemet e dëmtimeve tashmë thuajse kanë marrë fund. Kemi pasur probleme me Beqirin dhe Licin, por edhe ato më duket se po i kalojnë. Beqiri ka luajtur edhe me kombëtaren dhe e ka lënë më duket prapa dëmtimin që ka pasur. Po ashtu, edhe Lici që nga e hëna ka filluar normalisht stërvitjen.
Një situatë e tillë, pa asnjë lloj problemi, me dëmtimet është shumë pozitive, pasi edhe ne si trajnerë na lë të qetë të bëjmë punën tonë dhe të përzgjedhim lojtarët më të mirë për ndeshjen e radhës,” ka vazhduar më tej Canaj. Në konferencën e djeshme për shtyp, gazetarët nuk kanë mundur të qëndrojnë pa e pyetur numrin një të stolit shkodran edhe për çështjen “Mohamed”.
Kjo sepse ka qenë vetë ai që herë pas here kishte konstatuar qëndrim jokorrekt të afrikanit në stërvitje. I ngacmuar në lidhje me këtë çështje, Canaj është shprehur: “Kjo është një çështje që u takon drejtuesve të klubit. Mohamed është larguar, por Vllaznia nuk i ka për herë të parë problemet me lojtarët e huaj. Jam munduar të bëj më të mirën me këtë futbollist gjatë periudhës që është stërvitur me skuadrën.
Edhe ka luajtur kur skuadra ka pasur nevojë për të, por edhe ka qëndruar në stol, sepse unë dua të aktivizoj lojtarët që i shërbejnë skuadrës. Se si do të jetë e ardhmja e këtij futbollisti, nuk jam unë njeriu i përshtatshëm për vendosur. Unë jam i përqendruar maksimalisht te ndeshja e radhës me Shkumbinin, sepse ai është objektivi im i madh.”
Dhe në të vërtetë, Canaj ka të drejtë në këtë çështje. Jo në pak raste ka konstatuar se Mohamed abuzonte, si me stërvitjen, ashtu edhe me sjelljen e tij. Madje duket çështje e kotë për t’u marrë me të, përderisa afron sfida e kampionatit të dielën me peqinasit.
———————————-
Rikuperimi i Beqirit kënaq stafin kuqeblu
Aktivizimi i Elvin Beqirit në ndeshjen e kombëtares sonë ndaj asaj hungareze, i ka kënaqur drejtuesit e Vllaznisë. Kjo pasi prej disa javësh vuante nga një dëmtim të muskujve të kofshës, duke sjellë jo pak shqetësim te stafi drejtues i kuqebluve. Beqiri konsiderohet shtylla e shkodranëve në mbrojtje dhe tashmë që ai duket plotësisht i rikuperuar, te Vllaznia janë të kënaqur me këtë fakt. Trajneri Canaj e ka shprehur dje në konferencën për shtyp këtë gjë dhe ka lënë të kuptojë se ndihet shumë mirë me faktin se për takimin e radhës do t’i ketë të gatshëm të gjithë futbollistët dhe do ta ketë më të lehtë të ndërtojë formacionin.
Komentet