Sulmuesi shkodran Albert Kaçi thotë se nuk duhet t’i mëshohet vetëm fjalës “pretendent”
Vllaznia, pas ndeshjes së fundit me Dinamon, duket se ua ka mbushur mendjen të gjithëve se do të jetë një nga pretendentet e këtij sezoni. Kuptohet, të luash si e barabartë përballë kampionëve në fuqi, apo dhe Tiranës, një skuadër tjetër pretendente, nuk është pak. Megjithatë, një nga lojtarët titullarë të saj, pikërisht mesfushori me tipare sulmuese Albert Kaçi, nuk i mendon gjërat kaq thjesht. Për të, asnjë gjykim i plotë nuk mund të jepet për këtë fakt tani që janë zhvilluar vetëm 6 javë kampionat. “Eshtë herët të themi se do të jemi pretendentë apo gjëra të tilla. E vërteta është se në këto 6 javët e para të kampionatit, skuadra nuk i ka treguar të gjitha vlerat e saj të vërteta. Mendimi im është se vetëm pas përfundimit të fazës së parë mund të japim një gjykim më të plotë të të gjitha skuadrave, se cila do të jetë pretendente dhe cila jo. E rëndësishme për ne është që duhet të vazhdojmë punën që kemi nisur, për të qenë sa më seriozë në çdo drejtim dhe për të përmirësuar ato gabime që vërehen në ndeshje të veçanta, sidomos ndaj skuadrave të konsideruara të dobëta,” ka thënë ndër të tjera Kaçi në prononcimin e tij gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Numri 10 i kuqebluve i kishte munguar prej një periudhe disi të gjatë formacionit të Vllaznisë, si pasojë e një dëmtimi në thembër dhe vetëm ndaj Dinamos u rikthye të luante një 90-minutësh të plotë. Dhe megjithëse ende jo në formën e tij më të mirë, ai sërish është evidentuar si një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë skuadër. Ndërprerja e kampionatit ka ardhur në një moment mjaft të mirë për të dhe disa shokë të ekipit, që kanë pasur probleme me dëmtimet dhe vetë Kaçi është duke u munduar ta shfrytëzojë këtë periudhë për të kapur formën e tij më të mirë, prandaj deklaron: “Askush nuk ka dëshirë të mungojë dhe për rrjedhojë unë e kam vuajtur të qenit larg skuadrës. Megjithatë, tashmë jam rikthyer dhe duke shfrytëzuar edhe këtë periudhë të pushimit të kampionatit, po përpiqem të kap formën time më të mirë, në mënyrë që t’i shërbej sa më shumë Vllaznisë.” Ndërkohë, ekipi sot do të ketë një miqësore, e cila do të jetë një test përpara ndeshjes së javës së ardhshme me Shkumbinin. Kalendari i shkodranëve nuk është shumë i favorshëm në vazhdim, pasi mbas ndeshjes me peqinasit, do të luajnë me Besën dhe Elbasanin, dy skuadra që konsiderohen rivale. Por Albert Kaçi nuk e ka shumë mendjen tek ato dy sfida, pasi mendon vetëm për ballafaqimin e radhës. “Kemi ndeshjen me Shkumbinin për të luajtur. Kjo ndeshje duhet vlerësuar maksimalisht, sepse çdo takim tani nuk është i lehtë. Aq më tepër që luajmë në Shkodër dhe këtu fitorja është detyrë. Mbasi me një fitore në këtë takim edhe mund të kemi shans për të kapur kreun e renditjes,” thotë në përfundim të prononcimit të tij
Komentet