Vllaznia është skuadra më e mirë shqiptare për sezonin e kaluar.

Ky vlerësim është dhënë nga Instituti Ndërkombëtar i Futbollit për Historinë dhe Statistikat (IFFHS), i cili publikoi “top-listën” me 350 skuadrat botërore që spikatën në periudhën kalendarike 1 tetor 2007 – 29 shtator 2008.

Shkodranët, që gjatë sezonit të kaluar u shpallën fitues të Kupës së Shqipërisë, janë pozicionuar në vendin e 248 në këtë renditje, duke ngjitur 22 shkallë.

Madje, ata kanë lënë pas emra të njohur të futbollit evropian: mjafton të përmenden këtu holandezët e AZ Alkmar, francezet Lë Mans, Okser e Monako, italianet Atalanta, Palermo, Torino e Xhenoa, apo edhe spanjollët e Vajadolid, Real Betis, Real Saragoza e Osasuna.

Me fitoren e trofeut të dytë më të rëndësishëm në Shqipëri, por edhe me paraqitjen e mirë në turet eliminatore të Kupës UEFA gjatë verës që sapo kaloi (në turin e parë Vllaznia kaloi sllovenët e Koperit, ndërsa në turin e dytë u eliminua nga italianët e Napolit), kuqeblutë grumbulluan 72 pikë në klasifikimin e përgjithshëm.

Në vendin e 248, ata klasifikoheshin përkrah Sienës (Itali), Bryzh (Belgjikë), Midëllsbrou (Angli), Platinum Star (Afrika e Jugut), Saipa Tehran (Iran), Goias Esporte Klube Goiania (Brazil), O’Higins Rankagua (Kili), Danubio Futboll Klub Montevideo (Uruguai), Espanjol (Spanjë), Lorient (Francë) dhe Glentoran FC Belfast (Irlanda e Veriut).

Për vitin 2007 (periudha 1 janar - 31 dhjetor), në këtë renditje prestigjioze nga Kategoria Superiore ndodhej vetëm Besa. Kavajasit ishin të 334-it mes 350 skuadrave më të mira në botë.

Komentet