Napoli - Vllaznia 5 - 0

Shënues: Rinaudo 41′e 54′, Pia 52′, Laveci 80′, Hamshik 87′

Napoli: Xhianelo, Santakroçe, Kanavaro, Rinaudo, Montervino, Pacienca, Gargano, Grava, Dalla Bona (Hamshik 62′), Pia (Laveci 69′), Zalajeta (Denis 75′). Trajner: E.Reja.
Vllaznia: Grima, Beqiri, Bashiç, Lici, Belisha (Hoti 86′), Smajli, Nallbani, Osja, Boadu (Kaçi 85′), Doçi, Sinani. Trajner: A.Canaj.
Gjyqtarë: F.Aydinus, S.Ok, C.Bingul (Turqi)
Kartonë të verdhë: Laveci

“Golat”

41′ Pason Gargano në zonë, topi nuk preket nga askush, i lirë në zonën shkodrane, shkarkon të djathtën Rinaudo, që mposht Grimën. 1 0 për Napolin.
52′ Pia dyfishon rezultatin. Pasimin e saktë të Zalajetës, ai e kthen në gol, me një goditje në hyrje të zonës, ku Grima nuk ishte në gjendje të ndalonte topin, pavarësisht se e preku atë. 2-0 për Napolin.
54′ Pas një shpërqëndrimi të mbrojtjes shkodrane, mbrojtësi Rinaudo brenda zonës e ka shumë të lehtë të shënojë golin e tretë për Napolin dhe të dytin personal. 3-0 për Napolin.
80′ Përfiton Laveci, pas një gabimi në kthimin e topit pas nga kuqeblutë. Argjentinasi bën çfarë të dojë me Grimën, e më pas lehtësisht shënon. 4-0 për Napolin.
87′ Denis del i lirë nga krahi i djathtë, pason brenda zonës për Hamshik, që shënon lehtësisht. 5-0 për Napolin.


Komenti

Vllaznia ka mbyllur aventurën europiane në mënyrën më të turpshme. Plot 8 gola të pësuar në dy ndeshje, janë shumë, edhe pse përballë ishte Napoli i Serisë A. Në fakt eliminimi pritej, pasi dihej disniveli, por të paktën Vllaznia mund të bënte diçka më shumë. Dhe në fakt, para dy ndeshjeve, u shprehën të gjithë për një lojë me dinjitet, por realisht nuk arriti deri në ato kufij. Ndërsa Napoli, përballë publikut të vet, bëri atë që duhej bërë, të dëfrente tifozët dhe t’u jepte besim për ndeshjen e parë të kampionatit italian, që është në prag. Loja nisi me ritëm, si për të thënë që Napoli nuk do të nënvlerësonte aspak, dhe ashtu ka ndodhur. Napolitanët kërkojnë që në minutat e para të vënë diktatin në fushë dhe, pak a shumë, ia dalin. Por Vllaznia fillon të pozicionohet më mirë në fushë dhe për 10 minuta bën një qarkullim të mirë të topit, madje merr dy goditje këndi, teksa provon dy herë nga distanca. Por vetëm kaq, pasi pas minutës së 20-të, Napoli futet në lojën e tij, teksa rrezikon disa herë portën e Grimës. Vllaznia sulmohet nga të gjitha anët dhe mbrojtja shkodrane fillon të çahet. Fillimisht goditet shtylla, si për të dhënë sinjalin e golit, pak minuta më pas. Do të jetë Rinaudo, ai që edhe vetë nuk e beson që ka dalë aq i zbuluar në zonë dhe godet në cepin e portës, i pakapshëm për Grimën. Por edhe në minutat e mbetura të pjesës së parë, napolitanët provojnë sërish, megjithatë e mbyllin me këtë gol të vetëm. Në pjesën e dytë Napoli futet akoma më shumë i karikuar, si për të kënaqur tifozët e vet me shumë gola dhe ia arrin. Shënohen dy gola, njëri pas tjetrit, ndërsa Vllaznia mezi arrin të kalojë mesin e fushës, duke pasur shumë pak forca në sulm. Më pas bie disi ritmi, por shkodranët nuk përfitojnë të shënojnë të paktën golin e nderit, ndërsa Napoli kryen zëvendësimet njëri pas tjetrit, duke forcuar sulmin. Dhe efekti vjen menjëherë, teksa argjentinasi Laveci shënon të katërtin, i vetëm përballë Grimës. Në krahun tjetër, kuqeblutë janë sporadikë, por mbyllin edhe mbrojtësit italianë, që nuk duan të pësojnë gol. Ndërkohë, ka kohë edhe për golin e pestë dhe Vllaznia rrihet keq. Pesë gola, një “shuplakë” e fortë kjo për Vllazninë, që nuk ka shumë kohë të “lepijë plagët napolitane”, pasi në derë është Partizani, të dielën. Kështu përfundon ëndrra “Napoli”, ku veç anës financiare dhe lakimit të emrit të Vllaznisë, asgjë tjetër nuk u arrit nga kuqeblutë. Mungoi edhe “goli i nderit”, si i vetmi ngushëllim pë shkodranët, që patën fatin të luajnë ndaj një skuadre të Serisë A. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Agim canaj, tha se kaq ishin mundësitë e kuqebluve, ndërkohë që merakosej për ndeshjen e radhës në kampionat. Nga ana e tyre, napolitanët gëzonin, duke ia dedikuar fitoren 5-0 tifozëve të tyre.

 

Sporti Shqiptar