Ndonëse ambientet e brendshme të tij plotësojnë kushtet e domosdoshme për ndeshje të rangjeve ndërkombëtare, mbetet problem pjesa jashtë mureve rrethuese. Rruga që të çon tek stadiumi "Loro Boriçi" është copë-copë, e gjithë zona hyrëse është e stërmbushur nga mbeturinat e tregut të madh të 'Zdrales', që ndodhet ngjitur me të, si dhe nuk ka vende për parkimin e makinave. Nisur nga ky fakt, ekspertët e UEFA-s i kanë kërkuar Bashkisë së Shkodrës që të marrë masa urgjente për pastrimin dhe rehabilitimin e ambienteve jashtë mureve rrethuese të stadiumit të këtij qyteti. Mësohet se bashkiakëve iu është lënë afat deri më 5 korrik të këtij viti për riparimin e rrugës, parkimit, ndriçimit dhe të heqjes së mbeturinave jashtë stadiumit. Në rast se ky afat nuk respektohet atëherë, ndeshjet ndërkombëtare që janë parashikuar të bëhen tek "Loro Boriçi" do të bëhen në stadiumin "Qemal Stafa" të Tiranës. Ndërkohë, burime zyrtare nga bashkia dje kanë bërë me dije për "Gazeta Shqiptare" se po punohet për zgjidhjen e këtij problemi.
PARALAJMERIMI I UEFA-S
Fitimi i Kupës së Republikës nga ana e ekipit të futbollit "Vllaznia", ka bërë që ky ekip të jetë pjesë e ndeshjeve të UEFA-s. Për t'i paraprirë zhvillimit të kompeticioneve ndërkombëtare, ekspertë të UEFA-s kanë ndalur hapin në Shkodrës dhe kanë inspektuar gjendjen reale të stadiumit "Loro Boriçi". Nga verifikimi i bërë, ekspertët janë shprehur të kënaqur për sa i përket gjendjes së përgjithshme; ndriçimit brenda stadiumit; impiantit, karrigeve etj, pa përjashtuar edhe vërejtjet e lëna. Për ekspertët e huaj, situata kritike paraqitet jashtë stadiumit. Sipas tyre, stadiumi "Loro Borici" i Shkodrës nuk i plotëson kushtet. Rruga hyrëse për tek tribuna kryesore është plotësisht me gropa, mungon ndriçimi i rrugës, si dhe mbeturinat në cep të stadiumit janë gjëja e parë që të bie në sy. Klubi i Futbollit "Vllaznia" ka dërguar në bashki relacionin e lënë nga UEFA, duke kërkuar ndihmën e pushtetit lokal. Drejtuesit e klubit ua kanë bërë të qartë drejtuesve të bashkisë se tifozeria shkodrane, e "çmendur" pas futbollit rrezikon të mos shijojë ndeshjet e ekipit të tyre me skuadrat e huaja, nëse nuk do të merren masa deri më 5 korrik.
TREGU
Përfaqësues të Bashkisë së Shkodrës pohojnë se do të nisë puna për restaurimin e rrugës që të çon tek stadiumi si dhe do të largohen urgjentisht mbeturinat urbane. Ndërkaq, mësohet se ngërçi më i madh për plotësimin e kushteve të vëna nga UEFA mbetet çështja e tregut të 'Zdrales'. Ky treg që është ngjitur me stadiumin, është dhe një nga ndotësit më të madh të ambienteve jashtë tij. Sipas bashkiakëve, largimi i tregut për momentin është i pamundur, pasi bëhet fjalë për një problem të mprehtë social. Janë rreth 300 tregtarë që ushtrojnë aktivitet në zonën e Zdrales. Megjithatë, Bashkia e Shkodrës deklaron se largimi i këtij tregu nga stadiumi do të jetë në planet afatgjata të saj.