Data 17 korrik, kohë kur ekipi shkodran do të jetë i impenjuar në takimin e parë të turit kualifikues të Kupës UEFA, duket se i gjen kuqeblutë ende të pa përgatitur përsa i për kompletimit të kontingjentit që trajneri Agim Canaj do të ketë në dispozicion. Madje, kuqeblutë gjatë kësaj periudhe kanë pësuar një largim në masë në krahasim me fundin e sezonit të kaluar, ndërkohë që afrimet kanë qenë me pikatore. Deri tani i vetmi afrim zyrtar i kuqebluve është ai i lezhjanit Dritan Smajli. Ndërsa në horizont për shkodranët nuk duket ndonjë lojtarë tjetër, duke e mbuluar me një hije pesimizmi përgatitjen evropiane, të nisur në Shkodër prej disa ditësh. Ajo që duket se shqetëson, është fakti se përveç 7 lojtarëve të larguar në fillim të merkatos nga ana e drejtuesve të ekipit shkodran, katër prej të cilëve pjesë e formacionit titullar, ekipit me shumë gjasa mund t’i mungojë në këto takime edhe golashënuesi më i mirë i saj, Vioresin Sinani. Goleadori kuqeblu, i cili mësohet se edhe për sezonin e ardhshëm do të jetë pranë këtij ekipi, përsëri nuk ka kaluar problemet me dëmtimin e vuajtur në fund të kampionatit. Kjo mund ta detyrojë atë që në dy takimet për Kupën UEFA, të mos jetë pjesë e ekipit. Ndërsa edhe Amarildo Belisha, lojtari tjetër që është pranë kuqebluve do të duhet të presë mbarimin e ndeshjeve të Besës në Kupën Intertoto, për të qenë pjesë e ekipit shkodran, por përsëri nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjet evropiane. Pavarësisht se presidenti i ekipit, Valter Fushaj, ka premtuar se për takimet evropiane mund të forcojë ekipin e tij edhe me lojtarë të huazuar, përsëri edhe në këtë drejtim duket se gjërat po flasin jo pozitivisht. Deri tani shkodranët kanë marrë shumë pak nga merkato, për të mos thënë asgjë, ndërkohë që edhe lojtarët që kanë ardhur në provë, malazezët Dresheviç e Duka, kanë rezultuar joefikasë. Trajneri duhet të japë një vendim edhe për dyshen Lajçi-Hanxhari, për të cilët nga drejtuesit kuqeblu nuk thuhet asnjë fjalë përsa i përket vazhdimësisë.

Panorama Sport

Komentet