Vllaznia bën hapin e dytë në merkaton e pragsezonit futbollistik 2008-2009. Pas firmosjes së lezhjanit Dritan Smajli, një javë më parë, dje është arritur edhe akordi me ish futbollistin e Tiranës, Elvis Sina, duke e çuar në dy numrin e futbollistëve të merkatos verore. Tiranasi Sina, i aktivizuar më parë edhe me Elbasanin dhe i rikthyer sërishmi tek Tirana ka lënë përfundimisht kryeqytetin për t’iu bashkuar kuqebluve. Emri i tij ka ditë që lakohej në opinionin publik si një preferencë e shkodranëve për ta bërë të vetin, dhe mesa duket bisedat e vazhdueshme të zëvendëspresidentit Pjerin Fushaj me futbollistin në fjalë kanë arritur akordin mes tyre në mënyrë që Sina të veshë fanelën kuqeblu për sezonin e ri futbollistik. Në fakt, Sina, edhe prej ditësh përflitej për një gjë të tillë, ai asnjëherë nuk është parë të vizitonte Shkodrën, kjo për arsyen se kuqeblutë, përveç qytetit verior kanë edhe një zyrë tjetër në kryeqytet, aty ku zëvendëspresidenti Pjerin Fushaj ka aktivitetin e tij privat. Dhe, në mungesë të numrit një të klubit, Valter Fushaj, i cili është me pushime në Amerikë, situatën në dorë e ka marrë i vëllai i tij, Pjerini, i cili, sipas informacioneve më të fundit është duke “peshkuar” edhe të tjerë emra të njohur titullarësh të kampionatit shqiptar, të cilët janë në Tiranë, apo rrotull Tiranës. Lajmin në fjalë e ka konfirmuar vetë tekniku Agim Canaj gjatë një prononcimi të tij. Sina, sipas trajnerit Canaj, pritet që të luajë me shkodranët, duke filluar që nga ndeshjet e Kupës UEFA.

Sport Ekspres

Komentet