Vllaznia do të jetë një skuadër pretendente për trofe dhe, si e tillë, ajo duhet të kenë në përbërje lojtarë cilësorë, që të marrin përsipër përballimin me sukses të një kampionati, që pritet të jetë po aq konkurrues sa ky që lamë pas. Me këtë moto është duke punuar tekniku i sapoemëruar i kuqebluve, Agim Canaj. Me sa shikohet, ai po bën gjithçka, për të marrë sa më shpejt situatën në dorë. Që nga momenti i emërimit, për Canajn nuk ka asnjë ditë pushim, duke u përkujdesur sidomos për konfigurimin e skuadrës sa më shpejt. Edhe dje, në kontaktin që ka patur me presidentin Fushaj, trajneri vlonjat i ka paraqitur projektin e tij për ndërtimin e skuadrës, si për ata lojtarë që do të mbeten nga kontigjenti aktual, ashtu dhe për ata, që do të mund të afrohen përmes merkatos.

Shqetësimi për dyshen Sukaj-Lika

Një nga pikat më problematike të kampit shkodran, për sezonin e ri, pritet të jetë ai i dyshes titullare Lika-Sukaj. Të rinjtë e talentuar, të cilët kanë qenë ndër pikat kryesore të skuadrës për sezonin e kaluar, falë të dhënave që kanë treguar, janë vënë në shënjestër të menaxherëve, vendas dhe të huaj. Ofertat në adresë të tyre kanë vërshuar, si nga skuadrat e elitës së kampionatit shqiptar, por sidomos nga ato të huaja. Kësisoj, në një farë mënyre, edhe vetë futbollistët janë duke u përgatitur shpirtërisht për një transfertë jashtë vendit. Por, me mbërritjen e teknikut Canaj në Shkodër, duket se punët kanë filluar të ndryshojnë. “Dëshira e ime është që këta dy futbollistë të mos largohen nga Vllaznia” është shprehur tekniku Agim Canaj për “Sport Ekspres”. Sipas tij, të dy futbollistët janë shumë të vlefshëm për formacionin shkodran, aq më tepër kur kërkesat e këtij sezoni do të jenë shumë më të mëdha se të atij që përfundoi, pasi këtë herë drejtuesit kuqeblu kanë në shënjestër fitimin e titullit kampion. Ndaj, për këtë arsye, njëshi i pankinës shkodrane ka shprehur jo vetëm preferencën e tij të hapur, për t’i pasur këta dy futbollistë në kontigjentin e skuadrës për këtë sezon. Një gjë të tillë Canaj ia ka parashtruar edhe presidentit Fushaj, së bashku me disa kërkesa të tjera. Megjithatë, edhe pse kërkesa dhe dëshira e Canajt janë që t’i ketë të dy talentet në skuadër, nuk do jetë e lehtë për t’iu realizuar, pasi të dy futbollistët kanë nisur prej javësh tratativat në drejtim të merkatos. Madje, mesfushori Gilman Lika mund të ketë bërë edhe ndonjë hap përpara në ditët e qëndrimit në kombëtaren shqiptare, pasi, siç pati deklaruar përpara nisjes, në vëzhgim të tij janë dy grupe menaxherësh, për të arritur mirëkuptimin me një ekip zviceran. Në krahun tjetër, edhe sulmuesi Xhevahir Sukaj ka bërë hapa në këtë drejtim, kështu që tashmë pritet forca e Canajt, nëse do të jetë në gjendje të bindë Fushajn për t’i mbajtur në skuadër. Në fakt, ka qenë vetë Fushaj, që kishte lënë më parë të kuptohej se nuk do të bëhet pengesë ndaj transfertës së këtyre futbollistëve, por vetëm me një kusht: nëse ato do të gjejnë një ekip me emër në një kampionat të ndonjë vendi perëndimor. Në të kundërt, nëse bëhej fjalë për skuadër të panjohur, apo më keq, nga ato të kampionatit shqiptar, ai do të bëhej pengesë për transfertën e tyre. Sidoqoftë, lidhur me këtë çështje do të diskutohet gjatë këtyre ditëve, sidomos kur të jetë kthyer edhe vetë nga Lika nga kombëtarja, atëherë të dy futbollistët pritet të jenë në tavolinë “kokë më kokë” me trajnerin Canaj dhe presidentin Fushaj.

Sport Ekspres

Komentet