E Shtune 23 Mars 2008 , stadiumi  "BESA", Kavaje

\"\"\"vllaznia

Kastrioti - Vllaznia

0 - 1

Shenues :  Sinani 40\'



Kastrioti:

Mustafa, Caca, Gallo, Grami, Brahja, Rustami (Osuji 62\'), Merxha (Braho 59\'), Kalari, Turdiu, Rizvanolli, Hyka (S.Bulku 46\'). Trajner: R. Ndreu.


Vllaznia:

Grima, Lici, Teli, Osja, Delain, Sinani, Kaçi (Hoti 76\'), Sukaj (Jusufi 83\'), Lika, Kapaj, Nallbani. Trajner: D. Haxhiosmanoviç

Kartone te verdhe :  Caca / Hoti

Kartone te kuq : -

Gjyqtare : N.Abeshi (Pogradec), A.Pregja (Tiranë), F.Elezi (Durrës)

Radiografia:

3\'- Sinani godet nga një distancë mbi 20 metra, por pret portieri Mustafa.

5\'- Delain përplas topin në trupin e një sulmuesi krutan dhe rastësia çon topin jashtë ngjitur me portën e Grimës.

18\'- Turdiu ka galopuar brenda zonës, godet dhe Grima në dy kohë zotëron topin me vështirësi.

26\'- Grami ka shansin e artë të kalojë Kastriotin në avantazh. Pas një mosmarrëveshjeje të Telit me Grimën, topi i shpëton portierit dhe Grami, pasi merr topin, i lirë me portën bosh, godet jashtë, kur mund të pasonte te Rizvanolli që priste në vijën fatale.

40\'- Sukaj është gjendur i lirë majtas në hyrje të zonës, godet shpejt, por Mustafa tregon vlerat e tij, duke evituar golin.

41\'- Goditje dënimi mbi vijën ballore të zonës së rreptësisë krutane. Godet mjeshtërisht Sinani, duke befasuar Mustafën. 0-1 për Vllazninë.

49\'- Lëmsh në portën e Vllaznisë dhe aty Grami me kokë për pak shënon, por Grima reagon bukur, duke devijuar topin në korne.

55\'- Sinani, pasi depërton në zonë, pason shkëlqyer për Sukajn, i vetëm në zonë, por Grami ndërhyn shpejt, duke evituar një goditje goli.

63\'- Grima ka fluturuar mbi kokën e Rizvanollit, duke grushtuar në goditje këndi dhe duke shpëtuar portën e tij.

79\'- Sukaj provon nga distanca, por Mustafa gjendet në pozicion.

83\'- Hutim i mbrojtjes krutane, ndërsa Sukaj kërkon të godasë, por ndërhyn Mustafa, duke evituar rrezikun.

88\'- Kalari kërkon nga goditja e dënimit golin, por topi "qeth" traversën.

89\'- Rizvanolli bën mirë gjithçka në zonë, godet, por në ndihmë të Grimës vjen Teli, që shmang goditjen në goditje këndi.

 

Komenti:

Në fillim të këtij komenti duhet thënë se i gjithë takimi nuk u ngjit dot mbi nivelin mesatar dhe kjo për shkak se miqtë nga Shkodra për 45 minutat e para ishin të plogësht e të pafuqishëm. Ndërsa Kastrioti djersiti shumë, por ndjeu shumë deri në dënim mungesën e një njeriu-gol. Krutanët humbën përsëri, duke vështirësuar detyrën e tyre për qëndrimin në superligë. Këtë herë ishte Vllaznia ajo që i shkaktoi humbjen, por jo falë superioritetit në lojë, por vetëm klasit të një futbollisti si Sinani. Ka qenë një pjesë e parë ku krutanët zhvilluan një lojë totalisht në sulm. Kastrioti zhvilloi një qarkullim mjaft të madh topi, duke mos i munguar edhe rastet e shënimit. Ka qenë Grami njeriu i cili shpërdoroi një rast ideal, që mund të ndryshonte shumë gjëra në këtë takim. Gjatë gjithë 45 minutave të kësaj pjese mesfusha krutane u shpërngul e gjitha në kufijtë e zonës së Vllaznisë, duke e lejuar t\'i afrohej portës së tyre. Me përjashtim të minutës së 3-të, kur Sinani provoi nga distanca, shkodranët nuk e rrezikuan asnjëherë portën krutane. Kur mendohej se dy ekipet do të shkonin në pushimin mes pjesëve me rezultat të bardhë, del në pah klasi i një sulmuesi të pazëvendësueshëm si Vioresin Sinani. Goleadori i njohur kreu një ekzekutim perfekt të një goditjeje dënimi, duke ndëshkuar një Kastriot që nuk meritonte të pësonte këtë gol. Pjesa e dytë ishte paksa më e barabartë, pasi edhe Vllaznia pas shënimit të golit luajti më e qetë dhe më e sigurt. Trajneri krutan Ramazan Ndreu kreu tri ndërrime, por pavarësisht lojës së mirë të ekipit të tij, atij i mungoi njeriu-gol. Rizvanolli u përpoq mjaft dhe bashkë me të edhe Turdiu e organizatori Rustami, por edhe mbrojtësi Grami, por goli mungoi deri në fund. Krutanët djersitën shumë dhe nuk e merituan humbjen, të paktën me lojën që zhvilluan. Ka qenë vetë trajneri shkodran, malazezi Haxhiosmanoviç, i cili pavarësisht fitores, u shpreh i pakënaqur me lojën e Vllaznisë. Nga ana tjetër, gjatë 90-minutëshit disa herë stafi krutan me trajnerin Ndreu u panë të ngrihen nga stol për të protestuar, sipas tyre, për disa vendime të gjyqtarit kryesor Abeshi, veçanërisht të anësorit tiranas Pregja. Nga ana e saj, Vllaznia përsëri tregon oshilacionet e saj nga ndeshja në ndeshje. Disa nga futbollistët e Vllaznisë treguan mungesë përgatitjeje fizike dhe shpesh nuk ishin në gjendje të shfrytëzonin pasimet e njëri-tjetrit. Po ashtu, loja në tërësi e miqve nga Shkodra çaloi në ide dhe organizim. Nëse krutanët do të kishin në përbërjen e tyre një sulmues si Sinani, me lojën që zvilluan, Vllaznia do ta kishte shumë të vështirë jo fitoren, por ndoshta edhe barazimin. Pavarësisht kësaj, Vllaznia arriti të merrte një tripikësh me mjaft vlera, që e ngjit më lart në tabelë. Ndërsa Kastrioti mbetet në ujërat e turbullta të luftës për ekzistencë në superligë.

Deklarojne:


Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit:

"Ishte një lojë e mirë jona. Meritonim më shumë dhe kjo u pa sidomos gjatë 45 minutave të para, por edhe në pjesën e dytë. Na mungon njeriu-gol dhe e vuajtëm shumë mungesën e Abazajt. Me këtë rast, nuk rri dot pa cituar se pashë një gjykim jo të ndershëm, kur patëm disa faulle brenda zonës shkodrane dhe nuk u dha asnjë 11-metërsh. Më qartë do të flas kur ta shikoj në televizor, sidomos rastin e fundit, ku gjyqtari dha goditje dënimi në hyrje të zonës. Po ashtu, anësori Pregja na ndëshkoi disa herë me pozicione jashtë loje padrejtësisht. Çdo ndeshje për ne mbetet finale, por duhet të mos shpërdorojmë gola si sot."

Dervish Haxhiosmanoviç, trajner i Vllaznisë:

"Pavarësisht fitores, nuk jam i kënaqur me lojën që zhvilloi ekipi im. Kur të kthehemi në Shkodër, do ta analizojmë këtë takim. Ekipi ka oshilacione nga ndeshja në ndeshje dhe kjo nuk na ngroh. Megjithatë, pikët mbeten dhe kjo është vlera e vetme e kësaj fitoreje."

Sport Ekspres

Komentet