Edhe pse "lufta" për fatet e futbollit shqiptar tashmë është "ndezur" më tepër se asnjëherë tjetër, një gjë e tillë nuk është duke u ndierë fort tek ata që e interpretojnë këtë lojë magjike, futbollistët, të cilët nga ana e tyre vazhdojnë të stërviten me normalitetin dhe seriozitetin e duhur. E përcjell këtë për "Sport Ekspres" njëri prej emblemave të kampionatit shqiptar, goleadori i njohur i Vllaznisë, Vioresin Sinani. "Natyrisht që jemi në dijeni për atë se çfarë është duke u diskutuar, pasi edhe gazeta e juaj i ka dhënë të gjitha sqarimet e duhura në lidhje me këtë problem, por t'ju them të drejtën ne si futbollistë nuk jemi shumë të qartë për brendësinë e problemeve", thotë Sinani, që duket qartë se nuk parapëlqen të futet më thellë në këtë temë. Megjithatë, "nëse Shqipëria penalizohet, të parët që e pësojmë jemi ne, futbollistët", thotë Sinani, duke sqaruar se marrëdhëniet e tyre në raport me presidentët mund të ndryshojnë shumë, çka i dëmton ata ekonomikisht. Por, ajo që të bën përshtypje është fakti se të gjithë besojnë se mirëkuptimi në mes palëve do të mund të arrihet dhe futbolli shqiptar do të vijojë të ecë në rrugën e progresit të tij. "Po, sinqerisht besoj shumë se një gjë e tillë do të mund të zgjidhet me sukses, pse jo edhe brenda kësaj jave, në mënyrë që ndeshjet e fundjavës t'i kthehen normalitetit", ka theksuar Viori.

E ndien veten "top"

Ka pasur një dëmtim serioz dy ditë përpara ndeshjes ë dytë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë me Besën e Kavajës, ndaj edhe ka munguar të mërkurën e kaluar në formacionin kuqeblu. Megjithatë ka ndierë kënaqësinë që shokët e tij e kaluan turin me një bollëk golash në portën mike, madje dy-tre prej tyre edhe të tipit spektakolar. Ndërkohë, puna srioze e bërë me stafin mjekësor ka dhënë efektin e duhur për rikuperimin e tij; në fakt, ai ishte bërë gati të luante që të shtunën e kaluar përballë Kastriotit kur skuadra udhëtoi në Kavajë për këtë ndeshje. "Nuk u zhvillua ajo ndeshje për arsyet që tashmë dihen, për të cilën edhe ne si futbollistë jemi shumë të prekur", thotë Sinani. "Tani mund të them se jam "top" në formën fizike. Po pres me kënaqësi për t'u rikthyer në fushën e lojës". Dhe duke folur në emër të ekipit, Viori thotë se, "Vllaznia ka vetëm një objektiv në këtë ndeshje, atë të fitores, për të cilën do të luftohet. Skuadra nuk do të heqë dorë nga pretendimi i përfshirjes në zonën europiane edhe në kampionat, pa harruar dhe Kupën. Jemi brenda "kornizës" së realizimit të objektivit të marrë në fillim të sezonit".

Sport Ekspres

Komentet