Tifozeria e kohëve moderne nuk e ka vendin e saj vetëm në shkallët stadiumit. Zhvillimi i teknologjisë ka shtyrë përkrahës të skuadrave shqiptare të ndërtojnë faqe interneti dhe forume ku debatojnë rreth ecurisë së ekipit të zemrës, por edhe kthimin e tyre në enciklopedi të vërteta sportive. Vitet e fundit kjo mënyrë komunikimi e huazuar nga klubet e huaja ka bërë që uebsajtet dhe forumet e tifo-grupeve të kthehen në diçka të zakonshme. Një nga më të kilikuarit në Shqipëri është hapësira e tifozëve të Tiranës. Faqja e ngritur prej mëse 10 vitesh është kthyer në një sofër diskutimi të përkrahësve bardheblu. “Uebsajti i SK Tiranës është themeluar në vitin 1998 dhe u përdor për një farë kohe edhe nga klubi si faqe zyrtare. Programimin e bëri atëherë Elert Shehi dhe komunikimi mes tifozëve bardheblu ishte vetëm libri i miqve. Forumi është i drejtpërdrejtë që prej shatorit të 2003 një ide e huazuar nga uebsajtet e ekipeve të huaja, ku tifozët komunikonin mes tyre. Kjo hapësirë virtuale sot numëron mbi 450 anëtarë, ku disa dhjetëra postojë vazhdimisht mendimet e tyre”, – tregon Erblin Maçi, përgjegjësi kryesor për forumin e bardhebluve, që sot rreth 25 mijë postime. “Ky forum ka kryer më së miri rolin e dëshmitarit të historisë së skuadrës së Tiranës, pasi përveç shkrimeve të huazuara nga gazetat, anëtarët tregojnë edhe ngjarjet e jetuara nga vetë ata”. Forumi i tifozëve të Tiranës në faqet e tij luan rol bashkues, pasi me anë të tij përfshihen në debate edhe tifozë, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, por shërben edhe si një urë që krijon grupe të reja përkrahësish. “Kjo faqe ka qenë një pikë takimi për ne dhe një vend për të njohur tifozët e tjerë bardheblu. Pikërisht në këtë forum u krijua para 2 vjetësh “Fanatics”. Komunikimi në temat e ndryshme ka shërbyer në shumë raste si burim idesh për organizimin në stadium, ku jo rrallë lindin edhe parullat”, thotë Agim Fjolla, njëri prej anëtarëve të grupit. Një përvojë është kultivuar edhe në ekipet jashtë Tiranës, të cilat kanë çfarë të tregojnë për të kaluarën e tyre. Pjesë e kësaj teknologjie është bërë edhe rivali historik i Tiranës, ekipi i tjetër kryeqytetas, Partizani. “Faqja Partizani.net, në këtë formë funksionon prej dhjetorit të 2003, por gjithçka nisi kur Partizani luante në Kategorinë e Dytë. Me kalimin e kohës ajo u kthye në një pikë takimi për shumë tifozë dhe falë tyre ajo është shtuar me informacione të shumta, të cilat janë një pasuri i vërtetë”, – tregon Eni Zejnati, përgjegjësi kryesor i faqes së tifozëve të kuq. Stafi i Partizani.net, kohët e fundit po zhvillon një anketë për lojtarin më të mirë të skuadrës së parë dhe në fund të sezonit, atij do t’i dorëzohet një trofe me emrin “Joti” në nder të Kastriot Çemes, kryetifozit të kuq të ndarë nga jeta vitin e kaluar. Vllaznia ka hapësirën e saj në internet prej disa vitesh, duke kthyer në epiqendrën e atyre shkodranëve që jetojnë larg qytetit të tyre. “Faqja jozyrtare kushtuar Vllaznisë i ka fillimet në gusht të vitit 2004 dhe në janar të 2005 mori një formë të plotë. Gjithashtu, krijimi i faqes së internetit mendoj se është një ide shumë e mirë për njohjen e historisë shumëvjeçare të “Futboll Klub Vllaznisë” për brezat e rinj dhe për të apasionuarit. Forumi lejon shkëmbimet e ideve mes tifozëve në Shkodër dhe jashtë Shqipërisë, duke sjellë te përkrahësit një fryme të re mbështetjeje në stadium”, – thotë uebmasteri i FK Vllaznia.net, një faqe e kompletuar me informacion. Nisma të tilla janë përkrahur edhe nga grupe të tjerë tifozerishë në Shqipëri, duke krijuar një modë të re përkrahjeje për ekipin e tyre.

Panorama Sport

Komentet