Për kuqeblutë, sfida e radhës me Skënderbeun, në asnjë mënyrë nuk merret si e lehtë. Madje, ato janë të bindur që në këtë takim duhet bërë kujdes pavarësisht se do të kenë përballë një ekip që thuajse i ka dhënë lamtumirën Kategorisë Superiore. Megjithatë, për lojtarët e Vllaznisë, të gjithë pikët vlejnë njëlloj. Një prej tyre, mesfushori Erjon Hoti shprehet i bindur se ekipi i tij i ka të gjithë mundësitë për të marrë maksimumin, teksa kundërshtarit të vetëm që i ruhen kuqeblutë në këtë takim është vetvetja. Kjo duke parë se jo rallë herë këtë ekip e shoqërojnë problemet me vetëkënaqësinë përballë skuadrave, që nuk kanë më çfarë të humbin. “Është një takim relativisht i lehtë për Vllazninë. Kështu, të paktën në pamje të parë, Skënderbeu është një kundërshtar, që nuk ka ç’të humbasë dhe mund të kërkojë të bëjë edhe të pabërën. Por për mua dhe ekipin tonë nuk më duket se do të ketë vend për një gjë të tillë. Prandaj kërkohet të mos e nënvlerësojmë Skënderbeun, pasi pikët si me këtë ekip, apo me çdo ekip tjetër, vlejnë njëlloj”, shprehet Hoti. Ndërkohë, Hoti vlerëson pikërisht gjendjen e mirë që po kalon ekipi në këto momente. Pas tre takimeve pozitive, njëri prej të cilëve në kupë, ndaj Skënderbeut nuk pritet gjë tjetër. Ndoshta, ky do të jetë një takim që mund të vlejë për kuqeblutë si test përgatitor për takimin e fundit të fazës së dytë me Besën. “Forma jonë është gjithmonë e në rritje. Këtë e kemi treguar që në ndeshjen e javës së shkuar në Vlorë, ku mund të arrinim maksimumin nëse gjyqtari s’do të ishte treguar i njëanshëm, por i drejtë. Prandaj kjo formë pritet të pasqyrohet edhe në takimin e radhës me Skënderbeun, ku për mua duhet vetëm fitore. Një rezultat i tillë do të na mbajë në tonus për sfidën e fundit të kësaj faze që ne do të kemi me Besën”, thekson Hoti. Në aspketin personal për lojtarin, kjo ka qenë java e rikuperimit të plotë. Pas takimit të mesjavës me Besëlidhjen, mesfushori shkodran ka kaluar një periudhë të vështirë me dëmtimin e tij, që vuri në pikpyetje aktivizimin e lojtarit përballë Flamurtarit. Këto probleme, gjithsesi, tani duken të kaluara. “Tani ndjehem në 100% dhe për këtë takim nuk ndiej ato probleme që kam patur para takimit me Flamurtarin. Shpresoj që problemet të kenë përfunduar”, thotë në fund shkodrani Erjon Hoti.

Panorama Sport

Komentet