E Shtune 2 Shkurt 2008 , stadiumi  "Tofik Jashari", Shijak

Kastrioti - Vllaznia

3 - 1

Shenues : Abazaj 1' , Rizvanolil 58' , 83' / Sinani (p) 51'



Kastrioti:

Mustafa, Caca, Gallo, Grami, Hoxha, Rustami (Osusi 73'), Kalari, Abazaj, Bulku, Merxha, Braho (Rizvanolli 55'). Trajner: V. Bici.


Vllaznia:

Grima, Kraja (Lici 46'), Delain, Kapaj, Hoti, Kotrri, Nallbani (Osja 74'), Lika (Jusufi 76'), Kaçi, Sukaj, Sinani. Trajner: M. Josa

Kartone te verdhe :  Gallo, Hoxha, Kalari/ Grima

Kartone te kuq : -

Gjyqtare : B.Pashai, S.Avdo (Tiranë), D.Koreshi (Lushnjë)


Komenti:

Tribuna e stadiumit të Shijakut ka qenë dje pasdite e pushtuar nga tifozeritë shkodrane dhe krutane, që kishin ardhur për të ndjekur skuadrat e tyre, ndërkohë që tapeti i blertë, ku zhvillon ndeshjet Erzeni vendas, ka qenë me fat për “kastriotasit”. Skuadra e Bicit ka fituar me meritë ndaj Vllaznisë, e cila duhet pranuar se në këtë ndeshje ka qenë hija e asaj, çka pritej prej saj. Sinani e mbajti premtimin, duke shënuar golin e tij, por që mbeti vetëm për ta ngjitur në krye të listës së goleadorëve, ku është barazuar me kroatin Pejiç. Kuqeblutë duket se e kishin marrë disi lehtë përballjen në Shijak me Kastriotin, i cili, nga ana e vet, e kishte vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e tij të njohur. Të dy skuadrat e filluan lojën me të njëjtën vendosje taktike, 4-4-2, por që u aplikua më mirë dhe më qartë në të gjithë komponentët nga krutanët e Bicit. Kastrioti, në përgjithësi, zhvilloi një lojë harmonike në të gjitha repartet, ku spikati një mbrojtje e sigurt dhe e pagabueshme me Gramin dhe Gallon në krye, një mesfushë mjaft punëtore, ku spikatën Bulku dhe Rustami, si dhe një sulm i zhdërvjellët, ku Abazaj, i rikthyer te Kastrioti nga Tirana, dhe Rizvanolli, u bënë më problematikët për mbrojtjen shkodrane. Nga ana e tyre, kuqeblutë e Josës u shfaqën çuditërisht të paorganizuar, shpesh të shthurrur në përpjekjet për organizimin e lojës, sulmet ishin sporadike dhe vetëm Sinani e kishte të vështirë të tërhiqte skuadrën. Mbrojtja shkodrane u duk e pasigurt, sidomos në krahun e djathtë, aty ku krutanët goditën vazhdimisht, sidomos në pjesën e dytë. Kastrioti shënoi shpejt, që në të 1', pas një kundërsulmi nga e majta, ku Rustami lëshoi një top për Abazajn, i cili i befasoi shkodranët me golin e tij, duke dhënë alarmin që mbrojtja kuqeblu do të kishte shumë punë. Në fakt, reagimi ka qenë i menjëhershëm, por kryesisht përmes veprimeve individuale të Sinanit apo të Kaçit, ndërsa skuadra krutane është tërhequr prapa, duke u kujdesur për të ruajtur avantazhin e golit të parë. Nga ana tjetër, shkodranët janë frenuar edhe nga pritjet e portierit Mustafa, që e mbrojti me siguri portën. Në pjesën e dytë, tekniku Josa e orientoi skuadrën drejt një loje më sulmuese, por ajo ka qenë vetëm për pak minuta, derisa Sinani me anë të 11-metërshit ka arritur të barazojë. Më vonë, gjithçka foli për skuadrën krutane, e cila, përmes aksioneve sulmuese dhe këmbënguljes së lojtarëve të saj ka kaluar në avantazh me anë të Rizvanollit, i cili kishte vetëm pak minuta që kishte hyrë në fushë si zëvendësues. Shkodranët bëhen nervozë, madje portieri me përvojë, Grima, në një grindje me Kalarin e ka goditur krutanin, por gjuyqtari është mjaftuar me nga një karton të vertdhë për të dy. Ndërsa në të 83', po Rizvanolli ka vulosur përfundimisht fitoren e skuadrës së tij. Natyrisht, më të gëzuarit kanë qenë tifozët e shumtë krutanë, që e kishin ndjekur skuadrën e tyre në Shijak, edhe pse në kalendar Kastrioti ishte pritës. Skuadra e Bicit ka arritur të marrë një trepikësh të çmuar, duke i konsoliduar pozitat në tabelën e renditjes. Ndërsa Vllaznia, me këtë humbje tregoi se do t’i duhet mjaft punë, për të hyrë në binarët e objektivave dhe ambicieve që ka për këtë sezon.

Deklarojne:

Vasil Bici, trajner i Kastriotit:

"Eshtë një fillim i bukur i skuadrës sonë në këtë pjesë të dytë të kampionatit. Jam mëse i kënaqur nga loja që zhvilluan sot futbollistët e mi, duke filluar që nga portieri e deri te lojtari më i fundit i skuadrës. Gjej rastin t’i përgëzoj të gjithë lojtarët për lojën që zhvilluan, të cilën e shoqruan me një fitore bindëse. E kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Vllazninë, një skuadër mjaft e njohur e vendit tonë, dhe tani mendojmë për përballjen e radhës, me Tiranën. Kjo fitore na bën më të sigurt, për të zënë në tabelën e renditjes një vend më afër skuadrave të kreut."


Mirel Josa , trajner i Vllaznisë:

"Loja filloi mjaft keq për ne, sepse u goditëm shpejt, dhe për këtë na u desh shumë punë për të rimarrë veten. Duhej të kishim shënuar në pjesën e parë, sepse rastet nuk na munguan. Gjithsesi, nuk jam i kënaqur nga mënyra e organizimit të lojës nga ekipi ynë. Humbja e kësaj ndeshjeje na vë përpara detyrave më të mëdha, për të riparuar shumë gjëra në lojën tonë në vazhdimësi. "


Sport Ekspres

Komentet