Tekniku nuk preferon ndryshime - I pyetur rreth emrave, që do t'u besojë për të përballuar skuadrën krutane, Josa shprehet se nuk parapëlqen të bëj ndryshime në formacion, duke shtuar se përqendrimi do të jetë tek ata futbollistë, që luajtën në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, në të cilën u arrit një fitore e rëndësishme. Dhe, me aq sa kuptohet prej komenteve të tij, edhe ato dy ndryshime, që priten të bëhen, janë të deklaruara që më parë, njëri në krahun e djathtë të mbrojtjes, për të zëvendësuar Telin e dënuar, ku mundësia më e madhe është për Krajën, si dhe qendra e mesfushës, në të cilën protagonist do të jetë kosovari Nallbani. Vendi për të është bërë gati që prej ditës kur ka firmosur, ndërkohë që të tjerët do të jenë në vendet e tyre të mëparshme. Për të qënë sa më konkret me idetë dhe platformën e tij, Josa shprehet qartë, se "në formacion do të luajë ai, që është më i përgatitur në aspektin fizik, pra lojtari që ka gjendjen më të mirë aktuale". Edhe pse nuk e thotë drejtpërdrejt, duket se është një "barrikadë" për Licin e Osjen, të cilët, ndonëse janë përpjekur shumë për të kapur shokët gjatë ditëve të janarit, duket se nuk janë akoma aty ku trajneri i kërkon.
Besimi për fitore - Edhe pse do të ketë përballë një skuadër, që do të kërkojë pikë, në përpjekje për t'iu larguar zonës së rënies nga superiorja, një ditë përpara ndeshjes tekniku kuqeblu tregohet i qetë, duke shprehur besimin për fitoren e Vllaznisë. "Objektivi, që kemi, për të qenë me skuadrave pretendente për trofe, kryesisht për të mos qenë jashtë "zonës europiane", na motivon për të kërkuar fitore jo vet`m në Shkodër, por edhe në transfertë. Ndaj, edhe ndaj Kastriotit të njëjtën gjë do të bëjmë, duke besuar se do ta arrijmë falë edhe gjendjes shumë të mirë që gëzon ekipi ynë", është shprehur Josa