Sikurse ishte paralajmëruar, mbrëmë, në sallën e konferencave të Hotel “Colosseu” të Shkodrës, ka zhvilluar punimet Asambleja e Klubit të Futbollit Vllaznia. Në të kanë marrë pjesë drejtues të klubit, anëtarë të kryesisë, veteranë e specialistë të futbollit, gjyqtarë, përfaqësues të shoqatës së tifozëve, biznesmenë, përfaqësues të instuticioneve shtetërore e gazetarë sportivë, të cilët kishin mandatin e së drejtës të votës. Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i cili bëri dhe një përmbledhje të aktivitetit të klubit. Pjesëmarrësit kanë diskutuar për ndryshimet në statutin e klubit, që ishin përgatitur nga grupi i punës, ndërkohë që nga salla janë dhënë mendime e janë bërë propozime për ndonjë nga pikat. Më pas është kaluar në votim, duke u miratuar të gjitha pikat e statutit të shoqatës së klubit të futbollit Vllaznia, në përshtatje me normat e reja ligjore, duke u përfshirë edhe ato që u propozuan nga salla. Me unanimitet u rikonfirmua edhe kryesia e klubit, e përbërë nga nëntë vetë, brenda së cilës janë edhe presidenti e zëvendëspresidenti. Më pas u kalua në miratimin e strategjisë së re të klubit, nëpërmjet krijimit të Akademisë së futbollit, që përfshinë ekipet e moshave, në funksion të rritjes së të ardhurave dhe plotësimit të skuadrës së parë me lojtarë të rinj të dalë nga “fidanishtja” e klubit, si dhe për bashkëpunimin me Bashkinë, lidhur me nevojat në rritje për terrene sportive.
Shoqëria aksionere, domosdoshmëri - Pika më e nxehtë gjatë diskutimeve ka qenë rreth funksionimit të mëtejshëm të klubit, me këtë formë si është tani, apo si Shoqëri Aksionere; për rritjen e të ardhurave, duke kontribuar, krahas sponsorizimit të presidentit, edhe Bashkia e Shkodrës, si dhe për mirëmenaxhimin e klubit. Mendimi i të gjithëve ka qenë kalimi i klubit në SHA, si një kërkesë e kohës. “Me kalimin dhe funksionimin në Shoqëri Aksioniere, gjithçka bëhet mbi baza më ligjore e më të sigurta, duke filluar nga ne si donatorë kryesorë të klubit, por edhe për vetë futbollistët, të cilët do të ndihen më të mbrojtur”, është shprehur zëvendëspresidenti Pjerin Fushaj, që ka përvojë në drejtim të funksionimit të SHA-së. Ndërkohë, ai ka sqaruar se, me kalimin në këtë status, janë të gatshëm edhe një numër i madh donatorësh të afrohen, për të kontribuar në mënyrë ligjore për klubin e futbollit Vllaznia, për çka janë të mirëpritur. Diskutimet e shumta për këtë pikë janë mbyllur me votimin unanim të të gjithë pjesëmarrësve për të kërkuar shndërrimin e klubit Vllaznia në SHA.

Sport Ekspres

Komentet