Shkodranët e futbollit duket se e kanë marrë shumë seriozisht vitin 2008, kur pa mbaruar muaji janar do t'i gjejë me vendime të reja për të ardhmen e aktivitetit të klubit të tyre. Nesër do të mblidhet Asambleja e Klubit të Futbollit Vllaznia, punimet e së cilës do të zhvillohen në sallën e konferencave të hotel "Colosseo" të Shkodrës, duke filluar nga ora 18:00. Gjatë gjithë këtyre ditëve, pjesëtarë të administratës së klubit janë marrë seriozisht me organizmin e këtij evenimenti të rëndësishëm. Sekretari i Klubit Vllaznia, Agim Medja, thotë për "Sport Ekspres" se gjithçka është gati, ftesat janë shpërndarë dhe pritet vetëm ora e fillimit të Asamblesë, e cila duket se kësaj here do të zhvillohet me më shumë seriozitet se ato paraardhëset.

Rendi i ditës - Përmes zëdhënësit të klubit, gazetarit sportiv Gjegj Kola, jemi njohur edhe me pikat e rendit të ditës, duke filluar me miratimin e ndryshimeve statutore të shoqatës së klubit të futbollit Vllaznia. Një pikë tjetër po aq e rëndësishme, do të jetë ajo për nismën më të fundit që ka marrë klubi shkodran, për ngritjen e Akademisë së Futbollit, e cila, ndonëse është pritur mjaft mirë, po has në jo pak vështirësi organizative, kryesisht në lidhje me kuadrin specialist që është vënë në krye, por edhe për anën financiare. Do të kërkohen mendime për strategjinë e re të klubit nëpërmjet krijimit të kësaj akademie, e cila përfshinë ekipet e moshave në funksion të rritjes së të ardhurave dhe plotësimit të Vllaznisë me lojtarë të rinj, të dalë nga fidanishtja e klubit. Një tjetër moment i rëndësishëm pritet të jetë diskutimi për buxhetin, që për momentin është "Thembra e Akilit" për këtë klub, kur kemi parasysh situatat konfliktuale të shfaqura ditët e fundit ndërmjet klubit Vllaznia dhe bashkisë së Shkodrës. Kërkesa është që, krahas sponsorizimit të presidentit, të ketë mbështetje financiare edhe nga Bashkia, por edhe plotësimin e nevojave për terrene. Si zakonisht, në fund do të miratohet kryesia si dhe do të ngrihen bordet, duke marrë si shembull përvojën e klubeve të njohura në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, të gjithë presin që në Asamble të piketohet në mënyrë ligjore e ardhmja në funksionimin e klubit më të vjetër në vendin tone.

Sport Ekspres

Komentet