E diele 25 Tetor 2007 ,Stadiumi "Loro Boriçi", Shkoder


Vllaznia - Elbasani


2 - 1


Shënues :Sukaj 29' , Sinani 50'   Karçev 12'

Vllaznia:

Grima, Teli, Lici, Kapaj, Hoti (Nora 64'), Kotrri (Simo 74'), Osja, Lika, Sukaj (Leandro 83'), Kaçi, Sinani. Trajner: M. Josa

Elbasani:

Lika, Mehmetaj, Lako, Karçev, Ahmataj, Nuhiji (Nallbani 74'), Dalipi (Babaj 63'), Bulku (Plepolli 74'), Tetova, Bejzade, Xhafa. Trajner: K. Alimehmeti

Kartone te verdhë :  Lici / Plepolli

Kartone të kuq : -

Gjyqtarë : A.Janku, E.Doda (Tiranë), A.Guçe (Lushnjë)


Radiografia:


2'- Sinani gjuan me kokë, por topi përfundon jashtë.
5'- Sukaj-Kaçi kombinojnë me njëri-tjetrin, gjuan fort Sukaj dhe pret në pozicion Lika.
6'- Sukaj gjuan në drejtim të portës, topi preket nga Sinani dhe përfundon në rrjetë, por goli anulohet, pasi Sinani ka qenë në pozicion jashtë loje.
12'- Pas një goditjeje këndi, topi kalon në krahun e djathtë te Nuhiji, i cili fut një top tokazi në zonë, top që kalon gjithë pasqyrën e zonës dhe shkon te Karçev, i cili i ardhur nga mbrojtja, e shtyn topin në rrjetë. 0 1 për Elbasanin.
19'- Kotrri gjuan fort nga jashtë zone, topi prek shpinën e një mbrojtësi elbasanas dhe përfundon mbi traversë.
29'- Kaçi pason te Sukaj, që në hyrje të zonës gjuan fort me të majtën e tij dhe topi përfundon në rrjetë. Vllaznia barazon 1 1.
36'- Hoti kroson nga e djathta dhe Sukaj nga jashtë zone e godet fluturimthi topin, por ai përfundon ngjitur me shtyllën pingule.
41'- Lika kroson nga e majta saktë për Sinanin, që gjuan me kokë, por topi kalon ngjitur me traversën.
45+2'- Teli ndërmerr një inkursion vetjak nga mbrotja dhe del përballë Likës, por ky i fundit është më i shpejtë, duke e larguar topin.
48'- Kaçi pason te Sukaj, që në pozicion të prirët me portën gjuan fort dhe vetëm rrjetë e jashtme, megjithëse tifozët kujtojnë se është gol.
49'- Kaçi kësaj radhe gjuan fort me të djathtën dhe sërish rrjetë e jashtme.
50'- Një mbrojtës i Elbasanit gabon në pasim, përfiton Kaçi, i cili pason te Sinani, që i vetëm me Likën arrin ta dërgojë topin në rrjetë, pavarësisht përpjekjeve të portierit elbasanas. 2-1 për Vllazninë.
63'- Kaçi shfaqet i lirë në zonën elbasanase, por nuk rrezikon.
66'- Nuhiji kroson nga e djathta për Xhafën, që gjuan shpejt, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.
82'- Plepolli godet fort nga jashtë zone, pret Grima.
88'- Lëmsh në zonën e Vllaznisë, Bejzade godet topin drejt portës, por ai përfundon jashtë.

Komenti:

Fitore tepër të vështirë ka arritur dje Vllaznia ndaj një Elbasani shumë ambicioz në fushë. Një takim që është zhvilluar me një garë të fortë sportive dhe si rrjedhojë tifozëria e pranishme në stadium është kënaqur nga loja e të dy ekipeve. Vllaznia e Elbasani, nisur nga ajo çfarë kanë paraqitur në ndeshje dhe në kampionatet e mëparshme, është dukur qartë se kishin ardhur me pikësynimin për të mos e humbur ndeshjen. Shkodranët nga ana e tyre duket se e fillojnë mirë takimin, ushtrojnë më tepër presion ndaj kundërshtarit dhe krijojnë 2 3 raste për shënim, megjithatë kjo nuk arrihet dhe si rrjedhojë nga kjo përfitojnë miqtë, të cilët pas një goditjeje këndi, arrijnë të shënojnë me anë të maqedonasit Karçev.

Pas pësimit të golit, shkodranët reagojnë, por sërish mesfusha nuk mbështet siç duhet. Vetëm Lika nga krahu i majtë mundohet të bëjë diçka dhe si rrjedhojë janë disa topa të njëpasnjëshëm që ai i çon në zonën elbasanase, por duhej të vinte minuta e 29 të që rezultati të barazohej. Kaçi ka pasuar te Sukaj, që në hyrje të zonës ka gjuajtur fort me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë. Me gjithë përpjekjet e Vllaznisë për të shënuar edhe golin e dytë, kjo nuk do të arrihej, sepse miqtë mbrohen me shumë forca.

Kjo nuk do të zgjaste shumë, pasi fillimi i pjesës së dytë është një "tmerr" i vërtetë për Elbasanin. Në fillim dy rrjeta të jashtme të goditura nga futbollistët Sukaj e Kaçi, të dy ish-futbollistë të Elbasanit, një nga krahu i djathtë dhe një nga e majta në minutat 48 dhe 49, gatuan në këtë mënyrë golin e një minute më vonë, kur Sinani ka dërguar topin në rrjetë pas një dhurate të Kaçit. Ky do të ishte goli që do të vendoste fatin e këtij takimi, megjithatë 40 minutat deri në fundin e tij i kanë mbajtur në ankth tifozët shkodranë.

Kjo ngaqë skuadra e tyre ka lëshuar terren dhe si rrjedhojë kundërshtari është munduar të përfitojë nga kjo, por nuk ia ka arritur dot. Përfundimisht, një fitore e bukur dhe njëkohësisht e rëndësishme për Vllazninë, që vazhdon rrugën e saj të pretendimeve. Pas dështimit të Besës dhe fitores së Dinamos, tani shkodranët janë katër pikë larg kreut. Kujtojmë që shkodranët ndeshjen e radhës e kanë pikërisht ndaj Dinamos kryesuese, ku një rezultat pozitiv i mban në lojë sërish kuqeblutë për kreun. Ndërsa Elbasani humbi shumë terren, por në ndeshjen e radhës janë shanset për të marrë tripikëshin e radhës, sepse përballë do të kenë ekipin e Kastriotit, që gjithsesi ka bërë surprizën e radhës këtë javë me Besën.


Mirel Josa, trajner i Vllaznisë :

"Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë dhe megjithatë u ndëshkuam nga kundërshtari si rezultat i ekzekutimit perfekt të një goditjeje standarde. Megjithatë, më pëlqeu shumë barazimi dhe mbi të gjitha reagimi i skuadrës sime në pjesën e parë, ndërkohë që ky presion u shoqërua me golin e dytë në fillimin e pjesës së dytë. Patëm një tërheqje pas këtij goli, por ndërkohë, nëse do të ishim treguar më të saktë në lojën në krahë, mund të kishim shënuar edhe një gol të tretë, që do të kishte mbyllur gjithçka. E rëndësishme është që fituam dhe mendojmë disi më të qetë në lidhje me ndeshjen e radhës me Dinamon. "


Krenar Alimehmeti, trajner i Elbasanit:

Eshtë larguar shpejt nga ambientet e stadiumit, duke mos u paraqitur në konferencën e shtypit. Duket se trajneri i Elbasanit e ka bërë zakon që pas humbjeve, të mos preferojë të flasë për mediat. Në mungesë të tij asnjë pjesëtar i stafit elbasanas nuk ka preferuar të flasë për gazetarët.

Te Veçanta :

- Para ndeshjes është mbajtur një minutë heshtje në nderim të Frederik Jorgaqit, që u nda nga jeta pak ditë më parë. E veçanta është se ish futbollisti i Elbasanit ka luajtur në disa ndeshje ndërkomëbtare edhe me Vllazninë.
- I gjithë takimi është shoqëruar nga reshje të shumta shiu, të cilat e kanë bërë më të vështirë mbarëvajtjen e lojës, por duhet pranuar fakti se terreni i "Loro Boriçit" sërish ka gjendje të pranueshme, si rrjedhojë e punës shumë të mirë që punëtorët e saj bëjnë për mirëmbajtjen.
- Pas ndeshjes ish lojtari i Elbasanit, Safet Osja, ka nxituar të futet në dhomën e zhveshjes së Elbasanit për të takuar ish kolegët e tij, madje pas ndeshjes me disa prej tyre është parë të pijë edhe kafe në lokalin pranë stadiumit.
- Edhe Bejzade është takuar dhe përshëndetur me futbollistët e Vllaznisë, si dhe me trajnerin Josa, kjo ngaqë raportet mes tyre vazhdojnë të mbeten të shkëlqyera që nga periudha kur ky lojtar ka qenë pjesë e kuqebluve.
- Ndeshjen e kanë ndjekur rreth 2 mijë tifozë, që nuk kanë dashur t'ia dinë për shiun që binte.


Sporti Shqiptar