Në stërvitjen e së enjtes ka ndier një shqetësim të vogël muskulor në kofshë dhe si rrjedhojë e ka ndërprerë stërvitjen me skuadrën dhe ka zhvilluar vrapime të lehta në mënyrë individuale. Një gjë e tillë sigurisht që ka shkaktuar alarm te tifozët dhe stafi drejtues, të cilët kanë menduar më të keqen, mungesë të tij në ndeshjen e radhës. Ndërkohë, edhe gazetarët e pranishëm në stërvitje nuk kanë hezituar ta quajnë lajm të ditës. Por dje vetë protagonisti i këtij lajmi, sulmuesi i njohur Vioresin Sinani, i ka siguruar të gjithë se nuk bëhet fjalë për asgjë serioze.

Thjesht ka qenë një shqetësim i vogël dhe si rrjedhojë ai nuk duket se merakoset shumë për të. "Të them të drejtën, nuk mendoj se ishte dika për t'u shqetësuar dhe as për t'u bërë e madhe në media. Thjesht, ndieva pak dhimbje dhe për ta ruajtur veten, zhvillova stërvitje të diferencuar. Por nuk ka asgjë alarmante, sepse sot (dje) do të stërvitem normalisht me ekipin dhe njëkohësisht i siguroj të gjithë se do të jem në fushë ditën e dielë ndaj Elbasanit," ka deklaruar golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, por edhe atij aktual. Një lajm i tillë sigurisht që do të pritet mirë jo vetëm nga tifozët e kësaj skuadre, por edhe nga vetë trajneri Josa dhe stafi i tij, sepse kemi të bëjmë me sulmuesin kryesor të ekipit.

Ndeshja e kësaj fundjave është shumë delikate, sepse luhet përballë një kundërshtari të vështirë dhe njëkohësisht ky takim vjen pas dy barazimeve radhazi të Vllaznisë në fushën e saj. Vioresin Sinani mendon se historia e këtyre barazimeve nuk do të përsëritet sërish dhe si rrjedhojë premton vetëm fitore në ndeshjen e nesërme. "Na duhet medoemos ta fitojmë këtë ndeshje dhe besimi im është se do t'ia arrijmë kësaj radhe. Jemi përgatitur që të mos bëjmë më hapa të gabuar në fushën tonë dhe si rrjedhojë me Elbasanin besoj shumë te fitorja.

Kalendari i ndeshjeve në vijim na favorizon së tepërmi, prandaj duhet të bëjmë më të mirën në mënyrë që të ngjitemi në renditje dhe Vllaznia të shkojë në vendin që i takon," ka thënë 30-vjeçari shkodran. Por për t'u fituar një ndeshje, duhet shënuar në portën kundërshtare dhe kur e pyet Sinanin nëse ai do të shënojë edhe në këtë takim, ai përgjigjet me shumë modesti: "E rëndësishme do të jetë që skuadra të fitojë, pavarësisht se kush do të shënojë. Për mua nuk ka aspak rëndësi, megjithëse e di që të gjithë presin golat e mi.

Unë aty do të jem, nëse më paraqitet rasti, sigurisht që do të bëj maksimumin për ta dërguar topin në rrjetë, por e përsëris, nuk jam i tillë saqë të premtoj se do të shënoj me çdo kusht." Një deklaratë shumë e qartë e një njeriu që nuk matet nga deklaratat në media, por me veprat në fushën e lojës. Jo më kot ai është në krye të golashënuesve më të mirë të kampionatit me 7 gola dhe pretendon ta fitojë sërish "Këpucën e artë" për të tretën herë në karrierën e tij.

Sporti Shqiptar

Komentet