Për Xhevahir Sukajn, sulmuesin e talentuar të Vllaznisë, duket se tashmë ka kaluar edhe ajo krizë, që e shoqëroi në ndeshjet e fazës së parë të kategorisë superiore. Rikthimi i tij si titullar në formacionin kuqeblu, në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, përballë Skënderbeut dhe Besës, sidomos prezantimi i shkëlqyer që ai bëri me kombëtaren U-21, duke shënuar katër gola (tre në Ishujt Faroe dhe një në Greqi), kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për 20-vjeçarin shkodran, për të startuar me optimizëm fazën e dytë. Madje, me të mbërritur në Shkodërlocen e tij Sukaj ka premtuar gol ndaj Elbasanit.

- Xhevo, me siguri katër golat kuqezi ju kanë dhënë një kënaqësi të veçantë...

- Sigurisht, sepse të shënosh katër gola në dy ndeshje nuk janë pak, aq më tepër kur ke të veshur fanellën e përfaqësueses gëzimi dhe kënaqësia dhjetëfishohen.

- Cilat veçoni më tepër nga katër "rrjetat" ndërkombëtare?

- Natyrisht, ai ndaj Greqisë ka vendin e vet të veçantë, edhe pse në Faroe shënova tri herë. Kjo, sepse niveli i përfaqësueses greke është shumë më i lartë se ai i Faroes, por në të njëjtën kohë edhe për faktin se kisha kohë që, me disa miq të mi, kisha vënë një bast që do t'u shënoja gol grekëve, pasi kur luajnë ndaj nesh nuk sillen aspak mirë.

- Meqë folët për atmosferën në stadiumin grek, ju keni patur një problem me tifozerinë...

- Eshtë e vërtetë që masat e federatës greke ishin mjaft të mira, por jshtë stadiumit duhet pranuar se kishte jo pak tension, ndaj edhe fillimisht nuk janë lejuar të hapen dyert për tifozët. Më pas, gjatë lojës janë lejuar një grup tifozësh grekë, ndërsa për shqiptarët futja në stadium ishte vetëm me ftesa. Ndërsa në lidhje me rastin tim, për të cilën më kanë thënë se është komentuar edhe në media, më duhet të sqaroj se nuk është krejt ashtu. E vërteta është se gjatë një dyluftimi me mbrojtësin grek, kur unë po i drejtohesha me shpejtësi zonës vendase, ata më shanë dhe më ofenduan gjatë, ndërsa unë nuk pata asnjë reagim ndaj tyre. I vetmi moment, që mund të ketë patur ndonjë keqkuptim, ka qenë lëvizja e duarve të mia në vazhdim të aksionit, që mund të jetë keqinterpretuar.

- Paraqitja juaj ju ka vënë në shënjestrën e menaxherëve...

- Kontaktet ishin të shumta, qoftë në Ishujt Faroe, por sidomos në Greqi më kanë takuar shumë prej tyre në hotel. I falënderova të gjithë për interesimin, ndërkohë që u thashë se në vëmendjen time është menaxheri shqiptar Rudi Vata, të cilët në fakt e njihnin dhe folën me respekt për të.

- Me Rudin sikur keni patur një "ftohje", pas një rënie që paraqitët në periudhën e fundit...

- Nuk është kështu. E vërtetë është se Rudi Vata më ka folur, pse jo, edhe kritikuar ashpër për zbehjen e formës sime sportive. Për këtë e falënderoj së tepërmi, sepse këshillat e tij më kanë vlejtur shumë, ndërsa ai vazhdon të më ketë në vëmendje ndoshta për ndonjë lëvizje edhe në janar.

- Për ju ka paraqitur interesim edhe Tirana, për në fazën e dytë...

- Po, edhe kjo është e vërtetë, madje preferencat ndaj meje janë lëshuar që përpara nisjes në Faroe, që gjatë ndeshjes miqësore që zhvilluam në Tiranë. Megjithatë, nuk jam në gjendje të them asgjë në këtë drejtim, sepse, me sa di unë, Tirana ka folur edhe me drejtuesit e klubit Vllaznia për këtë problem, pasi kontrata ime zgjat deri në fund të sezonit.

- Le të kthehemi në emocionet e përballjes të së dielës Vllaznia - Elbasani...

- Pas të dy ndeshjeve me Shpresën kam patur komunikime nëpërmjet mesazheve me kapitenin tonë Armir Grima, i cili, për hir të së vërtetës, duhet pranuar se më ka krijuar shumë ngrohtësi me urimet që më ka bërë edhe në emer të skuadrës. Madje, mund t'ju them edhe një pjesë të mesazhit, ku ai, duke më uruar për golat me Shpresën, më kërkon ta ruajë një të tillë edhe për Elbasanin.

- Dhe t'i si ia ktheve?

- (Qesh) Jo vetëm Mirit (Grimës), por po ju them edhe juve që do të shënoj edhe ndaj Elbasanit, megjithëse me duhet të pranoj publikisht se për atë skuadër, për qytetin dhe në veçanti për presidentin Arben Laze kam një respekt tepër të veçantë. Isha vetëm 17 vjeç kur u shpalla kampion me Elbasanin, kaq mjafton t'ju them se sa ndiej për atë skuadër. Por përballë Vllaznisë nuk ka alternativë tjetër, sepse është skuadra e zemrës sime.

- Kam informacione se jeni paksa i dëmtuar...

- Kam marrë një goditje gjatë ndeshjes në Greqi, por e përballova deri në fund. Kisha fatin që kisha me vete doktorin e Vllaznisë, Zyhdi Çobën, i cili është kujdesur shumë dhe më ka thënë nuk do të ketë problem për ndeshjen e së dielës. Që nesër (sot) do të jem në dispozicion të teknikut Josa, për të tjerat i di ai. Unë garantoj se do të jap më të mirën në shërbim të skuadrës dhe, natyrisht, për të mbajtur fjalën e shënimit të golit në këtë ndeshje, sigurisht, nëse do të jem në fushë.


Sport Ekspres