Për ish-kapitenin e Vllaznisë, Safet Osja, pas një faze të parë që edhe luhatjet nuk kanë munguar, pritet që kjo fazë e dytë të ketë një fillim ndryshe nga e para. Ajo që pritet prej shkodranëve është që vazhdimësia të jetë e mirë, dhe ashtu si trajneri Josa, apo lojtarët e ekipit të Vllaznisë, edhe mesfushori Osja nuk e fsheh optimizmin e tij se ka ardhur koha për të pasur një fillim të mbarë, ndryshe nga ai i fazës së parë. Këtë optimizëm duket se Osja dhe të tjerët e bazojnë te puna që është zhvilluar në këtë javë, por edhe tek ajo rritje në aspektin fizik që ekipi ka treguar nga takimi në takim. Kështu, zhbllokimi i ekipit shkodran në këtë aspekt ka mbërritur disi me vonesë. "Kam mendimin se ekipi do të jetë në gjendje për të bërë një fillim krejt ndryshe nga ai i fazës së parë. Në takimet e fundit, Vllaznia ka arritur një nivel të kënaqshëm të përgatitjes fizike, dhe kjo është parë në çdo takim të kësaj fundfaze. Por kjo është vetëm njëra anë, pasi në këtë javë ne kemi punuar përsëri më shumë, duke bërë një stërvitje të fortë. Dhe këtyre, duke i shtuar edhe optimizmin që te ne tani ekziston, të bën të mendosh se nuk kemi rrugë tjetër vetëm të një fillimi të mbarë", kështu shprehet mesfushori i Vllaznisë, Safet Osja, në prononcimin e tij për gazetën "Panorama Sport". Mirëpo në krahun tjetër, mesfushori nuk tregohet aspak supersticioz, ku as që i merr në konsideratë rezultatet që ai dhe ekipi i Vllaznisë kanë arritur në fushën e tyre, sidomos në atë fazë të parë. "Nuk mendoj se do të gabojmë më në takimet brenda. Është e vërtetë që kemi lënë shumë pikë në fushën tonë, por tani nuk e mendoj se kjo do të përsëritet për fazën e dytë dhe në vazhdim të sezonit. Tashmë ne nuk na falen më gabimet, sidomos në fushën tonë, nëse do të kërkojmë të arrijmë objektivat që i kemi vënë vetes në fillim të këtij sezoni. Gjithsesi, gjithçka duhet të jetë më ndryshe, por e përsëris se me këtë gjendje jemi të gjithë optimistë dhe aspak pesimistë tek e ardhmja në këtë pjesë të mbetur të sezonit", thekson më pas mesfushori kuqeblu, i cili për skuadrën e Elbasanit kërkon vlerësimin maksimal. "Pavarësisht dëshirës dhe asaj që ne do të kërkojmë në sfidën me Elbasanin, përsëri e shikoj si të vështirë, ku parashikimet mund të jenë të tepërta", përfundon Safet Osja.
Panorama Sport
Panorama Sport