Pavarësisht se është përfolur për një kalim të Leandros në kampin e kuq të Partizanit, pikërisht aty ku luajti për disa muaj sezonin që shkoi, kjo hipotezë nuk gjen asnjë konfirmim ana e teknikut të Vllaznisë, Mirel Josa. Në një deklarim të tij, ai është shprehur negativisht për një kalim të lojtarit të tij në drejtim të ekipit të kuq. Ndoshta me të drejtë, tekniku i ekipit shkodran ka pasur probleme me brazilianin Leandro dhe vetë mungesa e një angazhimi total nga ana e lojtarit në këtë fazë të parë ka krijuar, jo vetëm probleme për teknikun, por edhe për sponsorin e klubit Valter Fushaj, që ka shpenzuar shumë për këtë lojtar, por deri tani ende nuk ka marrë atë që priste. Mirëpo, ajo që duket se është evidente është se tekniku Josa ka mohuar në mënyrën më kategorike të mundshme një kalim të tij. "Nuk është e vërtetë për një fakt të tillë, të paktën unë nuk kam aspak dijeni për një fakt të tillë", është shprehur Josa, që duket se është i bindur se të paktën, ai nuk ka dijeni fare në atë që kërkohet të bëhet me dyshen e lojtarëve. Ndoshta aty ku tekniku ka vënë më shumë pikën mbi "i", nuk duket se ka lidhje me lojtarin e tij Leandro. Për një gjë të tillë, trajneri shprehet totalisht i qartë se atë nuk e shqetëson një fakt i tillë, se kush do të jetë ai që do të largohet. Fakti që duket se shqetëson teknikun është pikërisht lojtari që do të jetë në përbërje të ekipit të tij. "Absolutisht nuk kam asgjë me asnjë prej lojtarëve si me Leandron, por edhe me Shkëmbin, për mua këto gjëra do të bëhen për të marrë më të mirën. Pra, problemi im nuk është se kë do të lëshoj, problemi im është se kë do të marr. Megjithatë, e thashë edhe një herë, unë të paktën nuk kam asnjë dijeni për një gjë të tillë", thekson Josa. Nga ana tjetër, tekniku i ekipit shkodran duket se nuk kërkon të harxhojë përsëri energji me lojtarë, të cilët ende nuk bindin. Më qartë se ajo që u shpreh, tekniku nuk ka ku të shkojë. Sot, kuqeblutë nuk pretendojnë të kenë pranë ekipit të tyre emra që ende nuk kanë treguar asgjë në ekipet e tyre. Ndoshta për të dy lojtarët, një shkëmbim i tillë mund të ishte shumë me leverdi, pasi si Shkëmbi ashtu edhe Leandro duken se nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët në radhë të parë me formën e tyre e pastaj me teknikët respektivë. Josa duket se është i prerë që edhe po t'i kërkohet një kalim i tillë, të mos jetë dakord, pasi ajo që kërkon tekniku është që lojtari të jetë në gjendjen më të mirë të tij dhe i gatshëm për t'i shërbyer ekipit.
Panorama Sport
Panorama Sport
Komentet