E merkure 31 Tetor 2007, Stadiumi "Niko Dovana", Durres


 Teuta - Vllaznia


0 - 3

Shenues: Sinani 22' , 35' , 72'



Teuta:

Kapllani, Dushku, Lamaj, Bërzezi(Likmetaj 33’), Ahmeti, Buna, Haliti (Ismail 71’), Hodo, Vila , Hysa, Çota (Hashani 45’). Trajner: G. Begeja

Vllaznia:

 Grima, Teli, Lidi, Kotrri(Delain 73'), Osja, Kapaj, Kaçi, Nora(Leandro 68'), Sinani(Sukaj 75'), Lika, Hoti. Trajner: M. Josa

Kartone te verdhë : Ismail

Kartone të kuq : Ismail

Gjyqtarë : B. Pashaj, A. Lamçej, P. Gaxhaj


Radiografia:

9' Sinani provon të shënojë me anë të një roveshatë, por gjuan jashtë kuadratit të portës durrsake.
18' Haliti gjuan një "silurë" të vërtetë nga 25 metra larg, por Grima tregon se porta shkodrane është e pakalueshme. Ai ka kryer një pritje të pabesueshme, teksa të gjithë pritnin që topi të prehej në rrjetë.
22' Sinani gjuan fort nga distanca dhe shënon golin e parë. Portieri dhe mbrojtja durrsake kanë qëndruar vetëm si spektatorë.
35' Sinani shënon sërish. Kësaj here ai ka mposhtur me kokë portierin e Teutës, pas një përgjumjeje të mbrojtjes durrsake dhe të kapitenit Kapllani, nga një distancë e afërt.
40' Zgjohet Teuta, Çota godet nga 18 metra larg, por është i pafat. Topi ka kaluar ngjitur me shtyllën e Grimës.
45' Haliti kroson bukur për tek Çota, ky godet me kokë, por Grima i mohon golin me pritjen e tij.
45 +1' Hysa godet në pozicion diagonal, por prek vetëm rrjetën e jashtme të Grimës.
50' Në aksionin e parë për pjesën e dytë, Hashani i Teutës gjuan me kokë, pret Grima.
51' Lika godet nga larg, por nuk gjen kuadratin e Kapllanit.
60' Hodo fut në zonë një top të shpejtë, Teli e largon me dorë, ndërsa për arbitrin prekja është e pavullnetshme. Më kot vendësit protestojnë për një penallti.
65' Gjuan Ahmeti në hyrje të zonës së rreptësisë shkodrane dhe grushton i sigurt Grima.
68' Hoti godet pas një aksioni të rrjedhshëm të miqve, Kapllani pret në pozicion.
72' Sinani shënon golin e kapitullimit. Ai ka mposhtur në dy kohë kapitenin Kapllani pas një gjuajtje me kokë. Ishte finalizimi i një aksioni të rrjedhshëm nga e djathta e sulmit shkodran.
88' Hashani gjuan në hyrje të zonës dhe përsëri pret i sigurt portieri i Vllaznisë, Grima.
90 +2' Hashani godet brenda zonës, mbrojtja shkodrane largon topin nga vija fatale duke i mohuar vendësve edhe golin e nderit.

Komenti:

Bregdetarët pësojnë zhgënjimin e parë në erën “Begeja”, duke u mundur në fushën e tyre 0-3 nga Vllaznia. Shkodranët nuk kanë luajtur një futboll të bukur në Durrës, por janë treguar mjaft oportunistë. Ata e kanë detyruar kapitenin Xhevahir Kapllani të nxjerrë topin tri herë nga rrjeta e tij, duke e shkatërruar plotësisht formacionin e drejtuar nga Gentian Begeja. Teuta ka kapitulluar pa kushte përpara një Vllaznie të etur për fitore. Vioresin Sinani quhet njeriu që mposhti tri herë Kapllanin nga pozicione të ndryshme shënimi. Ai ka qenë “njeriu-gol” i takimit, i cili riktheu krizën e plotë në kampin durrsak. Fillimi i ndeshjes ka qenë i vrullshëm për durrsakët. Një shpërthim i Vilës në të majtë dhe një “silurë” e Halitit e grushtuar mjeshtërisht nga Grima, dhanë alarmin tek porta mike. Por vetëm kaq dhe Teuta shuhet me kalimin e minutave. Më tej vijnë minutat e shkodranëve, ku Vioresin Sinani përfiton nga një hezitim i Dushkut dhe Lamajt, duke gjetur rrjetën e vendësve me një gjuajtje nga 20 metra larg, ndërsa portieri Xhevahir Kapllani nuk ka reaguar fare duke e shoqëruar topin vetëm me vështrim. Shkodranët i gëzohen golit të parë dhe Teuta është e paaftë të reagojë ndaj disavantazhit. Në minutën e 35-të të takimit është përsëri Sinani ai që ndëshkon kapitenin durrsak, e kësaj here ai e ka gjetur golin me kokë, teksa mbrojtësit durrsakë kanë bërë spektatorin. Kapllani vetëm e ka prekur topin, pa qenë në gjendje t’i japë devijimin e duhur. Vila dhe Haliti japin shkëndijat e para të reagimit të vendësve, por pjesa e parë mbyllet me fitoren e pastër të djemve të Vllaznisë. Pjesa e dytë është një fotokopje e së parës, për nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet. Teuta hapet duke sulmuar dhe shkodranët ndëshkojnë sërish. Pas një aksioni të rrjedhshëm nga e djathta e sulmit të Vllaznisë, Sinani ka mposhtur për të tretën herë Kapllanin, duke vulosur kapitullimin e vendësve. Gjuajtja në dy kohë e sulmuesit shkodran ka hipotekuar fitoren e miqve, të cilët pas këtij momenti mendojnë vetëm të administrojnë rezultatin. Begeja hedh në fushë “kartat e fundit”, por Hashani shpërdoron dy raste të pabesueshme. Grima dhe mbrojtja shkodrane i ka mohuar dy herë golin në vijën fatale sulmuesit kosovar të Teutës. Pas tri minutave shtesë, kryesori Pashaj sinjalizon fundin e një takimi për t’u harruar sa më parë nga durrsakët, por edhe për t’u kujtuar gjatë nga shkodranët.

Gentian Begeja, trajner i Teutes:

“Nuk kam çfarë të them, pasi rezultati 0-3 flet më shumë se deklaratate mia. Teuta ka domosdoshmëri të ngutshme për përforcime”.

Mirel Josa, trajner i Vllaznisë :

“Është normale që shifrat e fitores të mos kenë rëndësi. Ajo që më gëzon është marrja e tri pikëve në një fushë të vështirë si kjo e Durrësit. Lojtarët e Vllaznisë kanë më tepër eksperiencë dhe kjo bëri diferencën në fushën e lojës. Përgjegjësia jonë është shumë e madhe. Ne sot zhvilluam një ndeshje perfekte në të gjitha drejtimet. Skuadra ishte kompakte si në sulm, ashtu edhe në mesfushë apo mbrojtje. Nuk dua të dalloj asnjë lojtar, pasi fitoren e arriti grupi dhe jo individët. Për Sinanin them se ishte në një ditë mjaft të mirë dhe falë dhuntive të tij shënoi tri herë”.


Panorama Sport