Takimi me ekipin Teutës për kuqeblutë është një thikë me dy presa. Kjo, jo vetëm përsa i përket arritjes së tri pikëve të shumëdëshiruara për të siguruar vazhdimësinë e për të thënë se jemi edhe ne, por edhe për vetë faktin se në këtë muaj takimi me Teutën është i katërti për shkodranët dhe nga katër takime, ekipit për të mos pësuar gjobën e radhës ose për të fituar 500 eurot e premios, i duhet medoemos edhe tre pikët e takimit të së mërkurës. Kuqeblutë në këtë sezon ende nuk kanë arritur që të marrin shpërblimet e para. Madje përveç kësaj, ata janë gjobitur për një periudhë të shkurtër dy herë. Një herë me një vlerë prej 20000 dollarësh pas ndeshjes me Dinamon dhe më pas, sipas kontratës së parashkruar, të gjithë lojtarët me nga 500 dollarë, pas humbjes me Partizanin në Tiranë. Njëra prej këtyre dy herëve ka pikërisht pas mosarritjes së 7 pikëve brenda një muaji, ose brenda 4 takimeve. Kësisoj, mbas dy barazimeve me Besëlidhjen e Tiranën në transfertë dhe pas fitores 3-1 me Kastriotin në Shkodër, kuqeblutë kanë arritur të marrin 5 pikë dhe për të përfituar premiot e para atyre nuk u mjafton barazimi, pasi me 6 pikë ekipi përsëri mund të gjejë një penalizim tjetër. Kjo mund të bëjë që në këtë përballje skuadra të bëjë maksimumin e mundshëm jo vetëm për arritjen e objektivit të vënë vetes dhe për të ruajtur vazhdimësinë në rezultate pozitive, por pse jo edhe për të marrë edhe shpërblimet e për të realizuar kështu dhe një përfitim krejt normal të gjithsecilit. Kështu, sfida e Durrësit është tepër i rëndësishme për kuqeblutë, të cilët kërkojnë që njëherësh të ruajnë edhe vazhdimësinë, me çdo kusht.
Panorama Sport
Panorama Sport
Komentet