Më shumë se gjithçka tjetër në këto momente kanë rëndësi pikët. Dhe Vllaznia ka filluar t'i shtojë ato. Nga gjashtë që ishin deri të dielën, tani janë nëntë. Njëkohësisht edhe dy vende më lart në renditje dhe tashmë shkodranët kanë bërë vend në gjashtëshen e parë të renditjes. Sigurisht që kjo rritje duhet vlerësuar, por sërish është shumë pak për këtë skuadër që pretendon vendet e para. Mirel Josa megjithatë vlerëson dy aspekte nga ndeshja ndaj Kastriotit: i pari është ai i marrjes së tri pikëve, që e ndihmojnë skuadrën edhe për t'u çliruar nga ana psikologjike. Dhe i dyti, dalja te goli e goleadorit të njohur, Vioresin Sinani. Sigurisht që të dy ata kanë rëndësinë e vet për të ardhmen e kuqebluve. Fitorja ndaj krutanëve megjithatë nuk ka qenë e lehtë për t'u arritur. "E kemi filluar ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke qenë në avantazh që në minutën e parë. Gjatë pjesës së parë e kemi kontrolluar vazhdimisht lojën dhe rezultati duhej të kishte qenë edhe më i thellë. Në të dytën skuadra sërish bëri ato gabimet e zakonshme, teksa lëshoi në lojë dhe njëkohësisht humbi kontrollin e topit. Kjo erdhi ngaqë te lojtarët e mi u humb koncentrimi i lojës, dhe kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë moment te lojtarët me përvojë. Megjithatë rëndësi ka fitorja dhe tri pikët e marra, gjërat e tjera do t'i diskutojmë me skuadrën gjatë javës,"   ka thënë trajneri i Vllaznisë. Pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje duhet theksuar që ka lënë një përshtypje të keqe te të gjithë të pranishmit në stadium. Të kujtohej ajo Vllazni e javëve të para të kampionatit, e pamotivuar dhe njëkohësisht e paangazhuar mirë në lojë. Ndoshta ndaj Kastriotit edhe zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë nuk funksionuan ashtu siç duhet dhe vetë Josa në njëfarë mënyre e pranon këtë. "Nuk mund të them se zëvendësimet nuk e bënë punën e tyre, por kuptohet që gjërat nuk shkuan aq mirë. Leandro duhej të ishte më i qartë në veprimet me topin, ndërkohë që me futjen e Sukajt mendova të kaloj me dy sulmues, duke kaluar një lojtar tjetër në mesfushë, aty ku kundërshtari po e dominonte lojën. Kjo nuk funksionoi edhe aq mirë, por rëndësi ka që fituam, ndërsa çështjet e tjera, siç e thashë, do t'i diskutoj me lojtarët,"   ka shtuar më tej trajneri Josa. Për të tashmë e gjithë vëmendja duhet përqëndruar te ndeshja e radhës me Teutën. Numri një i stolit shkodran e konsideron këtë takim shumë të vështirë, pavarësisht pozitave në renditje të durrsakëve. "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, këtë e kam mëse të qartë dhe ne nuk duhet të nisemi kurrsesi nga ideja se durrsakët nuk e kanë nisur mirë kampionatin. Duhet të përgatitemi seriozisht për këtë takim në mënyrë që të mos ndalemi në këtë ecuri të mirë që kemi në ndeshjet e fundit,"   thotë në
përfundim trajneri Josa.

Sporti Shqiptar

Komentet