Ka ndodhur ajo që askush nuk e parashikonte. Futbollistët e Vllaznisë, të vetëdijshëm se përgjegjësia kryesore për mosecurinë e Vllaznisë është e tyre, i kanë kërkuar presidentit Fushaj që trajneri Josa të mos bëhet kurban. Në fakt ajo që nuk shkon në gjithë këtë çështje është se një kërkesë e tillë është bërë pas zyrtarizimit të largimit të trajnerit kryeqytetas. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjërat mund të mos ndryshojnë. Përderisa pasditen e djeshme ka pasur një tjetër takim Fushaj Josa, çdo gjë është e mundur. Ngjarjet janë rrokullisur shumë shpejt pasditen e djeshme. Josa kishte mbërritur në Shkodër paradreke dhe, pasi është takuar me presidentin Fushaj, ka mbyllur çdo gjë me të, duke i dhënë edhe dorën njëri tjetrit. Më pas, në orën 14:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, trajneri i larguar i kuqebluve kishte lënë një takim me futbollistët para një largimi përfundimtar të tij. Një takim përshëndetjeje, por që në fakt ka rezultuar ndryshe. Josa ka mbërritur në ambientet e stadiumit aty rreth orës 14:30 dhe menjëherë është rrethuar nga titullarët e ekipit. Këta të fundit shprehnin keqardhjen për vendimin e presidentit, ngaqë fajtorët e vërtetë të kësaj situate të krijuar ishin ata dhe jo trajneri. Megjithatë, ky i fundit i ka inkurajuar se ata duhet të vazhdojnë të bëjnë më të mirën edhe me trajnerin e ri, për të treguar vlerat e tyre të vërteta, por edhe për të justifkuar emrin e Vllaznisë. Ndërkohë, lojtarët kanë filluar stërvitjen nën drejtimin e dy ndihmëstrajnerëve Cungu e Dani dhe në këto momente Josa nuk ka ngurruar të flasë edhe për gazetarët e pranishëm në stadium. Një deklaratë plot keqardhje për largimin, por më tepër plot respekt për pubilikun, skuadrën, presidentin e të gjithë. Dukej qartë se nuk dëshironte të largohej dhe në të vërtetë kështu mund të ngjasë. Ndonëse me vete në stadium ishte edhe një miku i tij, në makinën e të cilit ishin ngarkuar bagazhet e trajnerit, gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër. Në një moment gjatë stërvitjes, Josa është afruar pranë fushës dhe ka filluar të përshëndetet me të gjithë. Këtu ai është gjendur para një të papriture të madhe. "Profesor, ti nuk duhet të ikësh. Nuk ke pse i paguan i vetëm ti gabimet që kemi bërë ne. Do të ndërhyjmë te presidenti dhe do t'i kërkojmë të ndryshojë vendimin e tij," - kanë pohuar lojtarët. Trajneri në fillim nuk ka arritur t'i kuptojë, por më pas e ka parë se e kanë seriozisht. Dhe është vënë në dilemë për të ardhmen e tij. Futbollistët, me të mbaruar stërvitjen, kanë nxituar drejt zyrës së presidentit dhe ia kanë bërë të qartë kërkesën e tyre. Ky i fundit nuk ka thënë as po as jo. Ndoshta i befasuar nga ato çfarë ka dëgjuar. Më pas futbollistët kanë lajmëruar shpejt e shpejt për një konferencë shtypi dhe në orën 17:00 kanë qenë para gazetarëve. Ishin të gjithë titullarët, duke filluar nga kapiteni Grima, Sinani, Lici, Osja, Teli, Kaçi, Kotrri e Kapaj. Në mes tyre edhe sekretari i klubit Medja. Ai që ka folur në emër të futbollistëve ka qenë kapiteni Armir Grima. "Jemi këtu para mediave për të bërë publike një kërkesë tonën ndaj presidentit Fushaj, për rishikimin e vendimit të tij për largimin e trajnerit Josa. Nëse Vllaznia nuk ka ecur siç duhet në këto javë, faji nuk ka qenë i trajnerit, por i futbollistëve. Duke qenë kështu, mendojmë se trajneri Josa nuk ka pse e pëson prej nesh. Aq më tepër mendojmë se nuk është koha dhe momenti i duhur për t'i bërë këto ndryshime. Ne duam që Josa të votëbesohet sërish deri në fund të sezonit, sepse mendojmë se e keqja e skuadrës nuk është ai. Aq më tepër që marrëdhëniet mes nesh dhe tij janë mëse të shkëlqyera. Një kërkesë të tillë ia bëmë të ditur edhe presidentit Fushaj dhe shpresojmë që ai ta marrë parasysh. Po ashtu, nëse ky vendim kthehet, dëshirojmë që edhe trajneri Josa të vazhdojë punën që ka nisur me ne, pavarësisht se kjo është në dorën e tij nëse dëshiron apo jo,"ka thënë portieri shkodran. Më pas kanë folur edhe lojtarë të tjerë dhe të gjithë kanë qenë të mendimit se Josa duhet kthyer në krye të skuadrës. Një gjë e tillë ende nuk dihet nëse do të bëhet realitet, por përderisa bisedimet kanë rinisur mes trajnerit dhe presidentit, kjo nuk është çudi që të realizohet.

Sporti Shqiptar

Komentet