Shiu i dendur, sidomos në orët e pasdites së djeshme. edhe pse e ka vështirësuar seancën stërvitore të kuqebluve, nuk e ka bllokuar atë. “Përgatitja duhet të kryhet në të gjitha kushtet e motit, - ka thënë trajneri Josa, - sepse edhe ndeshjet luhen nën diellin përvëlues apo nën rrebeshin e shiut”. Duke u prononcuar për gazetën “Sport Ekspres”, lidhur me ndeshjen e së premtes në Lezhë, përballë Besëlidhjes, Josa e konsideron të një rëndësie të veçantë për skuadrën shkodrane. “Kemi bërë një hap pozitiv me fitoren e ndeshjes së fundit, por ritmi duhet ruajtur, çka do të thotë se kjo frymë duhet të na karakterizojë edhe në këtë përballje”, thotë Josa, që kërkon ndjenjë të lartë përgjegjësie nga futbollistët e tij në përballjen me lezhjanët. Vetë afërsia gjeografike, traditat e ballafaqimit në vite, duke e konsideruar këtë ndeshje si një “derbi verior”, e bëjnë përballjen e së premtes tepër intriguese, ku të dy skuadrat do të kërkojnë si të barabarta trepikëshin. “Vendasit kanë një avantazh jo të vogël, publikun, por edhe gjendjen e lartë morale pas fitores me Tiranën në kryeqytet”, vijon Josa, teksa nënvizon faktin se lezhjanët kanë luajtur mjaft mirë edhe ndaj Partizanit, por kanë qenë pa fat. Kështu, sipas “kandarit” të Josës, me një ekip ambicioz si Besëlidhja pritet një ndeshje me luftë të fortë sportive, që do të dhurojë jo pak emocione. “Diferencat mes skuadrave në këtë kampionat duket se janë të vogëla, ndaj , ka thënë Josa. Formacioni - Lojtarët, që priten të luajnë me fanellën kuqeblu përballë skuadrës lezhjane, ka shumë mundësi të jenë ata, që ishin në fushë përballë Shkumbinit. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë tekniku Josa, i cili me sa duket ka mbetur i kënaqur nga ata, që fituan ndaj peqinasve, por dhe me mënyrën si u luajt. Megjithatë, deri në momentin e daljes në fushë, gjërat edhe mund të ndryshojnë. Sipas Josës, ai është duke kërkuar nga skuadra e tij disiplinë taktike, për të zbatuar me rigorozitet detyrat që do u caktohen. Deri të premten, kur do të luhet ndeshja,skuadra do të ketë edhe një seancë stërvitore sot paradite, në stadiumin “Loro Boriçi”, ku edhe pritet të përcaktohen disa nga pikat kryesore të strategjisë anti-Besëlidhje.
Sport Ekspres
Sport Ekspres