Kuqeblutë e Vllaznisë janë tepër të vendosur për të ecur përpara pas fitores së arritur ndaj Shkumbinit. Në gjirin e ekipit tashmë ka filluar të ekzistojë një besim se mund të arrihet më e mira që në përballjen e fundjavës ndaj Besëlidhjes në Lezhë. Ndoshta është disi më optimist se tjerët ish-kapiteni i ekipit të Vllaznisë, Safet Osja, i cili shprehet mjaft besues te një rezultat tjetër pozitiv. Ndoshta shkodranët do të kërkojnë që të realizojnë trepikëshin e dytë në këtë sezon, sepse për ta tashmë nuk ka shumë kohë e pikë për të humbur. "Nuk kemi më asnjë alternativë tjetër për të kërkuar, veç fitores në Lezhë. Nuk ka shumë rëndësi nëse kjo vjen pas një loje të mirë, apo me një lojë jo shumë bindëse. Ajo që ka shumë rëndësi për ne është që kjo fitore të arrihet. Ne tani kërkojmë vetëm vazhdimësinë",- thotë Osja. Ndërkohë që ish-kapiteni e mbështet totalisht këtë thënie të tij në atë që po gatuan grupi i lojtarëve, ku atmosfera pranë kuqebluve është e ndezur dhe kërkuese, ndërsa Vllaznia para kësaj përballje është totalisht e gatshme dhe pa probleme. "Ajo që të bën të ndjehesh më optimist, është se pranë ekipit ka një frymë besimi për të arritur më të mirën, dhe kjo mbështet edhe nga përgatitjet që po zhvillojmë. Mendoj se jemi mirë dhe se mund ta hedhim pas atë fillim të këtij sezoni. Prandaj nuk mendoj e besoj në rezultat tjetër në Lezhë, përveç fitores", - shprehet më pas Osja. Vlerësimi Pavarësisht objektivave që kuqeblutë e Josës i kanë vënë vetës për këtë takim, nuk harrojnë se përballë do të kenë një ekip që vjen në këtë përballje jo më si vendi i fundit në tabelën e klasifikimit, apo si një ekip i ardhur nga Kategoria e Parë, por si një ekip që një javë më parë ka mundur kampionen në fuqi, Tiranën. "Nuk mund të them se është një takim i lehtë për ne, apo një takim i vështirë, pse Besëlidhja fitoi me Tiranën. Unë mund të them për këtë ekip, se pavarësisht që vjen nga një kategori më poshtë dhe ka të tjera objektiva, duhet të vlerësohet shumë. Ashtu si ne kërkojmë të fitojmë një takim ashtu edhe ata do të hynë në fushë për të kërkuar të njëjtën gjë" - përfundon Safet Osja.

Panorama Sport

Komentet