Tribuna kryesore e stadiumit të Shkodrës do të mbulohet e gjitha dhe do të rregullohen ambientet
Kushtet jo të mira që afron tribuna e stadiumit "Loro Boriçi" për gazetarët apo dhe personalitetet që vijnë për të ndjekur ndeshjet aty, i kanë detyruar drejtuesit e klubit "Vllaznia" të ndërhyjnë për të gjetur mënyra të ndryshme për rregullimin e këtyre kushteve.
Kuptohet, idealja do të ishte ndërtimi i tribunës së re sipas projektit ekzistues, por një gjë e tillë kuptohet që do të kërkonte një investim të madh. Duke qenë kështu dhe meqë në këtë stadium po luhen rregullisht edhe ndeshje ndërkombëtare, u kalua tek ideja tjetër e një mbulese të tribunës së stadiumit. Bëhet fjalë për një mbulesë të pjesës së ndërtesës që ekziston në tribunën qendrore dhe ku përfshihen zyrat e klubit, tribuna VIP, ajo e gazetarëve dhe vendi ku vendosen kamerat për filmimin e ndeshjeve. Drejtuesit e Vllaznisë gjatë përballjes në Intertoto me ekipin e Zagrebit panë pikërisht që stadiumi i këtij qyteti kishte një mbulesë shumë të bukur dhe e gjitha metalike. Duke qenë kështu, lindi ideja që një gjë e tillë të aplikohej edhe në "Loro Boriçi" dhe për pasojë u përzgjodh një studio projektimi nga më të mirat e vendit për të hartuar projektin në fjalë. Dje ky projekt ka mbërritur në zyrat e presidentit Fushaj dhe tashmë pritet vetëm sigurimi i financimit për ndërtimin e kësaj mbulese. Në fakt, një pjesë e fondit që duhet është miratuar pak ditë më parë pikërisht për këtë qëllim nga ana e ministrisë që mbulon edhe sportin.
Ky fond është prej 5 milionë lekësh të rinj, por për përfundimin e këtij projekti duhen gati trefishi i kësaj shume, pra gati 15 milionë lekë. Duke qenë kështu, presidenti i Vllaznisë sot pritet të trokasë në dyert e Bashkisë së Shkodrës dhe më pas edhe në ato të MTKRS së për të gjetur pjesën e mbetura të parave. Vetë Fushaj ka marrë përsipër financimin e vlerës së projektit, por ajo çfarë kërkohet tani është gjetja e fondeve shtesë për ndërtimin e kësaj mbulese. Bëhet fjalë për një mbulesë të fuqishme, e gjitha me konstruksion metalik, e cila do të mbulojë krejt pjesën qendrore të tribunës kryesore të stadiumit. Në pjesën e prapme të këtij konstruksioni mendohet të ndërtohen dy këmbë të fuqishme betoni për të mbajtur peshën e tij dhe e veçanta është se e gjithë kjo mbulesë nuk ka në pjesën e përparme të saj asnjë këmbë mbështetëse, çka mund të pengonte në shikimin e fushës.
Valter Fushaj është optimist se fondet do të gjenden edhe për faktin se me këtë mbulesë plotësohet edhe një nga dy kërkesat e UEFA s dhe FIFA s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në "Loro Boriçi". Për "Sportin shqiptar" ai do të shprehej: "Ky projekt mendohej se është vërtet për t'u marrë në konsideratë dhe shpresoj që bashkia e ministria të na ndihmojnë me fonde të tjera, të cilat duhen për ta kompletuar këtë projekt, i cili besoj se është afatgjatë dhe është një investim që i mbetet Shkodrës dhe shkodranëve. Madje hartuesit e këtij projekti janë shprehur se me një lloj mbulese të tillë metalike mund të mbulohet në një të ardhme të afërt edhe tribuna përkarshi." Nga sa merret vesh, nëse plotësohet financimi, ky projekt përfundon për 2 muaj dhe "Loro Boriçi" më pas do të merrte një pamje krejt tjetër.