Rikthimi i tij tek Vllaznia është pritur me shumë entuziazëm. Dhe shkodranët kishin të drejtë t’i gëzoheshin ardhjes së futbollistit të tyre, që pasi bëri emër me fanelën kuqeblu, madje duke fituar edhe titullin kampion, përshkoi një karrierë të shkëlqyer në Elbasan, Zvicër, përsëri në Elbasan, ku krahas përvojës, koleksionoi edhe një tjetër titull me ngjyrat verdheblu. Shtatshkurtëri, i etiketuar “napolon” në fushën e lojës, me 11 qershor të këtij viti ka mbushur 27 vjeç. Faktin që pikërisht në atë ditë ka firmosur për ngjyrat kuqeblu, ai nuk e quan krejt rastësi. “Kisha kohë që komunikoja me presidentin Fushaj dhe në vetvete vendosa që për ditëlindje të firmos kontratën me Vllazninë. Do trë më sjellë shans...”, thotë Alberti.

Në “top-formë”

Eshtë vlerësuar nga të gjithë si futbollisti më në formë tek Vllaznia, çka po e reflekton edhe gjatë ditëve në vazhdim. “Shpresoj që ajo që kam arritur gjatë fazës përgatitore të më shërbejë gjatë gjithë kampionatit. Më e rëndësihme është ta ruash formën, dhe besoj se do ta mbaj atë në nivelin e kërkuar për t’i shërbyer sa më shumë dhe sa më mirë skuadrës”, siguron Kaçi. Ai flet edhe për skuadrën, duke theksuar se gjërat duken shumë më mirë se në dy javët e para të kampionatit, jo vetëm në harmonizimin e reparteve, por edhe në gatishmërinë e titullarëve për të qenë në fushën e lojës.

Kaçi e Nora, Sinani në majë

Ajo që thekson Kaçi gjatë rrëfimit të tij për “Sport Ekspres” është edhe një ndryshim rrënjësor që pritet të ketë në paraqitjen e Vllaznisë ndaj të kuqve. Qoftë në emrat që do të jenë në fushë nga minuta e parë, por edhe nga variantet e lojës, që janë duke u eksperimentuar gjatë këtyre ditëve në seancat stërvitore. Për preferencë individuale, do të parapëlqente të bënte mesfushorin e majtë, por ai thotë se është i gatshëm të luajë aty ku trajneri e mendon se është më mirë. Nga sa shikohet, ndeshja e radhës do ta vendosë Kaçin si sulmues të maskuar në të majtë, menjëherë pas Sinanit të deklaruar, duke patur në të njëjtin pozicion në krahun tjetër, gjirokastritin Nora. Kjo mënyrë loje pritet të sjellë edhe golin e parë kuqeblu të Vllaznisë në këtë kampionat. “Nëse do të vendosemi kështu, që të tre do të ngulmojnë të shënojmë sa më shpejt. Nuk ka asnjë rëndësi se kush shënon, e rëndësishme është që ne të fitojmë në këtë ndeshje. Edhe nëse goli vjen nga një mbrojtës, e pranoj me dëshirë”, përfundon ai, duke rishfaqur edhe një herë besisimin se Vllaznia do të arrijë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Sport Ekspres

Komentet