Pavarësisht se shkodranët e kishin menduar edhe barazimin, presidenti i ekipit donte fitoren.
Barazimi i arritur në Elbasan ditën e shtunë në pamje të parë mund të konsiderohet pozitiv për Vllazninë, duke qenë se ishte një ndeshje në transfertë dhe për më tepër ndaj një kundërshtari të fortë, siç është ekipi verdheblu. Nuk mendon kështu ndërkohë njeriu që ka investuar shumë për të ndërtuar skuadër dhe që pret prej saj vetëm suksese në fushën e blertë.

Presidenti Valter Fushaj e ka ndjekur me emocione ndeshjen në "Ruzhdi Bizhuta" dhe në fund të 90 minutave është shprehur i rezervuar me rezultatin e bardhë të arritur në fushë. Arsyeja pse ka menduar kështu ka pasur të bëjë kryesisht me formën jo të mirë që kanë treguar tre nga lojtarët "big" të skuadrës që ai sponsorizon. "Me barazimin nuk jam shumë i kënaqur, sepse për nga mënyra si u zhvillua ndeshja, duhej të kishim rrezikuar për të kërkuar edhe fitoren. Por këtë gjë në radhë të parë duhej ta bënin tre lojtarët më të mirë të skuadrës dhe pikërisht ata që edhe paguhen më tepër. E kam fjalën për Sinanin, Leandron dhe Delainin, të cilët nuk kanë zhvilluar aspak një ndeshje të mirë. Nëse ata do të kishin zhvilluar lojën e tyre të zakonshme, jam shumë i bindur se duhej të ishim kthyer nga Elbasani me tri pikë," ‑ ka thënë njëri prej "bosëve" të "Colosseut", firmës që sponsorizon dhe drejton klubin shkodran prej dy sezonesh. Pavarësisht nga ky mendim, vetë pjesëtarët e tjerë të skuadrës janë të bindur se edhe barazimi nuk është rezultat i keq. Për më tepër nisur nga fakti se në këtë takim skuadra ka pasur disa mungesa dhe formacioni ka qenë disi i sajuar, ndryshe nga ç'ka menduar Josa. Mosaktivizimi i Osjes dhe i Licit, apo edhe largimi i Belishës kanë prishur jo pak plane, megjithatë ata që kanë luajtur në përgjithësi e kanë justifikuar veten. Pika e marrë në Elbasan konsiderohet pozitive, ngaqë vjen në serinë prej 3 takimeve shumë të vështira që shkodranët kanë radhazi në këtë fillimkampionati. Këtë javë ata presin Dinamon, për të shkuar pastaj te Partizani, e nëse këto tri sfida i kalojnë "pa u lagur", atëherë ky do të ishte një sukses jo i vogël për kuqeblutë e trajnerit Josa. Parë në këtë aspekt, presidenti Fushaj prandaj ngul këmbë që lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës duhet të marrin sa më shpejt formën e tyre të duhur për ta vënë në shërbim të ekipit, i cili pret shumë prej tyre. "Kur thashë se nuk jam i kënaqur me faktin se këta tre futbollistë nuk dhanë atë që duhej në Elbasan, e kisha në aspektin se prej tyre e gjithë skuadra pret shumë. Janë lojtarë shumë të rëndësishëm dhe ata që në ndeshjen e ardhshme me Dinamon duhet të jenë në nivelin që ne presim. Duke qenë kështu, pika e marrë në Elbasan duhet të shoqërohet edhe me rezultate të tjera pozitive në ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që të mos lëshojmë pe nga rivalët tanë në renditje," ‑ ka thënë më pas Fushaj. Në këtë mënyrë, premiera nuk ka shkuar dhe aq keq dhe mbetet që puna e nisur të vazhdohet me të njëjtin ritëm, për të parë të gjithë atë Vllazni që dëshirojnë të shohin gjithmonë.

Nora dëmtohet sërish, jo probleme për të

Ka qenë minuta e 31‑të e ndeshjes me Elbasanin kur trajneri Josa ka vendosur ta nxjerrë nga fusha e lojës lojtarin gjirokastrit Arlind Nora. Në fakt, ka qenë një sinjalizim i vetë këtij futbollisti që e ka detyruar stafin drejtues ta largojë nga fusha e lojës për të mos e acaruar më tej dëmtimin që ka pasur. Siç dihet, Nora prej kohësh është stërvitur i veçuar pas një dëmtimi që ka pasur në kofshën e djathtë dhe që kishte të bënte me një tërheqje muskulore. Për ndeshjen e hapjes së kampionatit ndoshta edhe nga nevojat e formacionit ai është aktivizuar nga minuta e parë, por dëmtimi sërish e ka dhënë efektin e vet. Disa dhimbje kanë filluar ta shqetësojnë jo pak atë pas gjysmë ore loje dhe për rrjedhojë është vendosur të largohet nga loja për ta ruajtur. Sipas mjekut të ekipit, nuk bëhet fjalë për një rritje të shkallës së dëmtimit dhe gjasat janë që ai të jetë i gatshëm për lojë edhe të shtunën që vjen ndaj Dinamos.

Ikën Belisha, mbyllen shpresat për Elokanin

Për shumëkënd nga shkodranët ka qenë e pashpjegueshme situata e krijuar ditën e shtunë, kur kanë marrë vesh se Amarildo Belisha ka luajtur në formacionin e Besës. Lojtari në fjalë u bë e qartë se kishte kontratë ende në fuqi me kavajasit, por vetë ai depozitoi në federatë një deklaratë, ku deklaronte të kundërtën dhe shprehej se dëshironte të luante me Vllazninë. Duke qenë kështu, të gjithë prisnin që të ishin komisionet e federatës ato që do të vendosnin për këtë çështje, por në fakt lojtari ka luajtur të shtunën me skuadrën e presidentit Bizhdili. Duke qenë kështu, bëhet e ditur se shkodranët do të shohin mundësinë edhe të gjetjes së ndonjë zëvendësuesi për të, megjithëse për vetë kohën e mbetur në dispozicion kjo duket shumë e vështirë.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Vllaznisë kanë shpresuar se mund të bënin të tyrin edhe sulmuesin meksikan të Besës, Elokan, ngaqë ky lojtar i ishte ofruar kuqebluve nga vetë menaxheri i tij. Një çështje e tillë mendohej të merrte rrugë këtë javë, por çuditërisht meksikani ka luajtur të shtunën me kavajasit, madje duke dhënë spektakël në fushë dhe kësisoj presidenti Fushaj duhet të mendojë edhe në këtë rast për një sulmues tjetër.

Sporti Shqiptar

Komentet