Kuqeblutë federojnë edhe një lojtar tjetër, por problemi i Belishës del më i madh nga çfarë mendohej.
Kuqeblutë gradualisht kanë nisur të plotësohen. Eshtë fjala për numrin e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për të luajtur që në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Elbasanit. Nëse në fillim të javës ka qenë plot 9 numri i lojtarëve që nuk do të ishin në gjendje të luanin për probleme të ndryshme, tashmë ky numër është reduktuar dhe madje pritet të minimizohet në ditët në vijim. Kështu, problemi i Leandros tashmë është zgjidhur përfundimisht dhe ai do të jetë i gatshëm për t'u federuar pa as më të voglin problem me shkodranët.

Gjithashtu, edhe mbrojtësi Kraja përfundimisht është liruar nga grekët e Iraklisit, teksa ka përfituar nga fakti që në kontratën e nënshkruar mes dy palëve ka qenë edhe klauzola e lënies së lirë të lojtarit nëse në 6 muajt e parë nuk do të aktivizohej në të paktën 50 për qind të ndeshjeve. Dhe Kraja nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshjet e kampionatit, si rrjedhojë dy ditë më parë ka mbërritur në zyrat e FSHF‑së edhe lejekalimi përkatës për këtë futbollist. Mbrojtësi shtatlartë në këtë mënyrë do të federohet pa asnjë problem me Vllazninë, ndërkohë që e njëjta procedurë do të zbatohet edhe me Licin, i cili siç është bërë e ditur, pretendon se nuk ka asnjë lloj detyrimi ndaj azerbajxhanasve të FC Baku. Pak më ndryshe është problemi i Delain dhe Belishës. Për të dy këta futbollistë do të jenë komisionet juridike të federatës që do të vendosin. Kështu në mbledhjen e së premtes të Apelit pritet që të bjerë poshtë vendimi i disiplinorit që e ka pezulluar 6 muaj kongolezin. Shanset janë që të ndodhë kështu, edhe ngaqë bisedimet me drejtuesit e Flamurtarit vazhdojnë. Ndërkohë, çështja e Belishës do të jetë një nga temat e ditës për Disiplinën. Lojtari e ka depozituar në sekretarinë e këtij institucioni dëshminë e tij se nuk ka asnjë lloj detyrimi ndaj Besës dhe se në sezonin e ri dëshiron të luajë me Vllazninë. Ajo që do të vendosë tashmë do të jetë kopja e kontratës, e cila ka qenë e depozituar prej kohësh në federatë. Në bazë të saj edhe vendimi që do të merret do të jetë i shpejtë, sepse është një çështje e zgjidhshme shpejt. Nga ana tjetër, Osja, Lici e Kotrri vazhdojnë të jenë të pezulluar me nga 3 ndeshje dhe për këtë arsye klubi shkodran ka depozituar në federatë në adresë të Komitetit Ekzekutiv një kërkesë për faljen e tyre. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me saktësi, por e përgjithshmja është se në kampin kuqeblu ka filluar të kthehet qetësia në njëfarë mënyre. Sinani e Nora pothuajse i kanë lënë prapa dëmtimet që kanë pasur dhe do të jenë të gatshëm për të luajtur këtë javë. Trajneri Josa ka filluar t'i bëjë planet nisur nga rrethanat, në të cilat ndodhen lojtarët e mësipërm dhe prandaj çdo gjë duket gati. Mbetet vetëm afrimi i ditës së ndeshjes për të sqaruar përfundimisht disa nga dilemat më të mëdha që kanë shqetësuar prej kohësh Vllazninë.

Klubi shkodran bën gati listën e federimeve

Gjatë gjithë paradites së djeshme dy drejtuesit më të lartë të klubit "Vllaznia", presidenti Fushaj dhe sekretari Medja, kanë qenë të angazhuar me bërjen gati të dokumentacionit përkatës që do të luhet për federimin e lojtarëve për sezonin e ri. Përveç listës së lojtarëve të hartuar nga ana e stafit drejtues, janë bërë gati edhe kopjet e kontratave të të gjithë futbollistëve dhe në këtë mënyrë sot sekretari Medja mund të jetë i pranishëm në federatë për të bërë edhe federimet përkatëse. Ende nuk është shpallur zyrtarisht lista e lojtarëve që do të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri, por për momentin nuk ka asnjë surprizë, teksa do të jenë ata lojtarë që kanë zhvilluar edhe fazën përgatitore në Nikshiq.

Cani, i lirë për t'u huazuar te çdo ekip

Komentet e bëra dy ditët e fundit në media në lidhje me çështjen e futbollistit të ri Nevian Cani i kanë shqetësuar jo pak drejtuesit e klubit "Vllaznia". Përmes një komunikate zyrtare të shpërndarë për shtypin, ata kanë saktësuar se lojtari në fjalë nuk është detyruar të shkojë askund pa dëshirën e tij. "Klubi i Vllaznisë ka bërë disa përpjekje për t'i sistemuar lojtarët që nuk do të jenë pjesë e tij në sezonin e ri te disa skuadra të tjera, por në asnjë rast nuk i ka detyruar të shkojnë pa dëshirën e tyre. Kësisoj, sqarojmë se sa i takon futbollistit Cani, ai nuk ka qenë asnjëherë në plan të bëhet "kurban" për ndonjë futbollist tjetër, qoftë ky edhe Delain, sepse në radhë të parë vetë klubi i Flamurtarit nuk ka shfaqur asnjë interes për këtë. Bëjmë të ditur se Cani mund të shkojë të luajë në cilindo ekip që dëshiron ai, por vetëm si i huazuar. Nëse lojtari dëshiron të largohet si i lirë, ai duhet t'u nënshtrohet të gjitha sanksioneve që përfshijnë rregulloret e klubit, por edhe ato të FSHF‑së për prishjen e njëanshme të kontratës, duke i paguar dëmshpërblim klubit mëmë," ‑ thuhet në komunikatën e klubit shkodran.

sporti shqiptar

Komentet