Ndonëse asnjë nga drejtuesit e skuadrës shkodrane nuk deklaron zyrtarisht mbylljen e merkatos së verës për ekipin e Vllaznisë, kjo gjë tashmë është një fakt. Kështu, kanë qenë pikërisht vetë drejtuesit më të lartë të kuqebluve që kishin deklaruar disa ditë më parë se pas afrimit të Leandros, Delain, Belishës e Kapajt, vetëm pak i ndante nga mbyllja zyrtare e merkatos. Zyrtarisht bëhet e ditur se tashmë që ekipi është përforcuar në të gjitha repartet që ishin më problematikë, synohet vetëm një futbollist. Përforcim ky që ashtu siç bën të ditur edhe vetë drejtori teknik i skuadrës së Vllaznisë, Edi Martini, do të jetë një mbrojtës i krahut të djathtë. Por ky nuk është kriteri i vetëm që duhet të plotësojë futbollisti, emri i të cilit nuk është përcaktuar ende nga drejtuesit shkodranë. Kjo pasi veç rolit në të djathtë të mbrojtjes që duhet të mbulojë futbollisti, kërkohet me çdo kusht që ai të jetë i afirmuar dhe t’i përshtatet mbi të gjitha lojës specifike të projektuar nga trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, për sezonin e ardhshëm. Synimi i fundit nga kampi shkodran për këtë merkato vere duhet të realizohet deri javën e ardhshme, para mbylljes së federimeve. Një kohë jo shumë e gjatë në dispozicion, por që gjithsesi sipas vetë trajnerit Josa nuk duhet nxituar për të mos bërë zgjedhjen e gabuar. Në këtë kuadër, kreu i pankinës kuqeblu ka deklaruar: “Nuk është koha për t’u ngutur dhe për të marrë një futbollist të panjohur, të cilin nuk do të mund ta testoja siç duhet brenda vetëm një jave në dispozicion. Nëse do të arrihet të sigurohen shërbimet e një mbrojtësi të djathtë në këtë kohë të fundmerkatos, atëherë ai duhet të jetë një futbollist të cilin unë e njoh shumë mirë dhe për të cilin të mund të dal garant”. Një deklaratë kjo e Josës që qartëson konsiderueshëm jo vetëm idenë e tij mbi atë çfarë synon, por lehtëson njëkohësisht edhe punën e drejtuesve më të lartë të Vllaznisë, duke i dhënë pistën në të cilën të kërkojnë futbollistin që mbyll zyrtarisht merkaton e shkodranëve. Një merkato që edhe nëse do të mbyllet pa përforcuar repartin e mbrojtjes, në mënyrë të padiskutueshme ka qenë intensive dhe e goditur. Pikërisht ashtu siç kishte paralajmëruar edhe vetë presidenti i kuqebluve, Valter Fushaj, i cili kishte premtuar po ashtu se do të rikthente në Shkodër të gjithë futbollistët shkodranë në mënyrë të tillë që 70% të Vllaznisë ta formonin lojtarët vendës.

Panorama Sport

Komentet