Komisioni i Disiplinës në FSHF do të ketë sot në dorë një çështje shumë të vështirë për të zgjidhur, atë të futbollistëve Delain dhe Leandro që kërkojnë t'i bashkohen Vllaznisë. Kongolezi Sasha Delain pretendon se nuk ka asnjë detyrim ndaj Flamurtarit, ndonëse është "arratisur" pa lënë gjurmë nga kjo skuadër në fillimin e fazës së tretë të kampionatit. Kjo ka bërë që vlonjatët të kërkojnë dëmshpërblim për mosrespektimin e kontratës së tij, pasi kanë ende në zotërim kartonin e futbollistit në fjalë. E njëjtë është edhe situata e Leandros, i cili u largua nga Partizani në tetor, pasi kishte marrë paratë e kontratës së tij. Vetë presidenti i klubit kryeqytetas, Albert Xhani, ka bërë të ditur se lojtari duhet të paguajë 30 mijë euro, si gjobë për shkeljen e njëanshme të kontratës, si dhe për të marrë kartonin e tij të federimit. Dy klubet e futbollit, Partizani dhe Flamurtari, do të ulen sot përsëri në tavolinën e bisedimeve, por këtë radhë para përfaqësuesve të Komisionit të Disiplinës, i cili do të marrë një vendim që mund të ndryshojë ndjeshëm merkaton e futbollistëve në vendin tonë. Nëse futbollistët do t'i zgjidhin problemet me Flamurtarin dhe Partizanin, ata mund të federohen në kampionatin shqiptar, ku Vllaznia është ekipi që i ka kërkuar dhe i ka kthyer në Shqipëri. Drejtuesit shkodranë kanë konfirmuar se kanë gjetur një akord parimor, si me mesfushorin brazilian, Leandro, ashtu edhe me mbrojtësin kongolez, Delain për kontratat njëvjeçare që priten të nënshkruhen pas vendimit të Disiplinës. Për Delain ka patur interesim edhe nga skuadra e Elbasanit, që është ende në kërkim të futbollistëve cilësorë. Por nëse Disiplinori vendos për t'i lënë të lirë lojtarët, ata pritet të firmosin brenda ditës me Vllazninë. Kjo do të çonte në një mbipopullim të ekipit shkodran, që mund të lërë të largohen disa futbollistë, qoftë edhe në formën e huazimit. Përveç të rinjve si Cani apo Tafili, shkodranët po diskutojnë edhe mundësinë e huazimit ose të largimit të disa prej futbollistëve më të vjetër. Është Elbasani që gjatë ditëve të fundit është interesuar për tre prej tyre, më saktësisht për Licin, Kotrrin dhe Telin. Afrimi i mundshëm i Delainit, si dhe konfirmimi brenda javës i federimit të Elvis Krajës, do të rritë numrin e mbrojtësve në formacionin kuqeblu dhe pritet të mos ketë hapësira për të gjithë. Elbasani ka pasur kontakte të vazhdueshme me Vllazninë, duke kërkuar Admir Telin, ndërsa Lici dhe Kotrri kanë marrë një ofertë nga verdheblutë. Dy "veteranët" e Vllaznisë nuk e kanë firmosur ende kontratën për sezonin e ri dhe mund të largohen drejt një skuadre tjetër, nëse Josa nuk u garanton një vend në formacionin titullar.

Komentet