Vllaznia, pas një jave tjetër të lodhs hme me seanca stërvitore, të dielën ka preferuar ta bëjë pushim. Tekniku Josa, pas dy javëve të kësaj përgatitoreje, duket tejet i kënaqur me atë që i kanë afruar atij pa përjashtim të gjithë lojtarët. Kur sezoni i ri është në prag, ai duket optimist për ekipin e tij dhe për atë që kanë paraqitur deri më tani të gjithë futbollistët. Por ajo që nënvizohet më tepër nga ana e Mirel Josës dhe që cilësohet si shqetësimi i vetëm momental pranë ekipit është rrugëzgjidhja që duhet të marrë situata e dy lojtarëve të sapoardhur, Delain e Leandro. Mesa duket tekniku i kuqebluve ka filluar të ndërtojë strategjinë e ekipit të tij për sezonin e ri me këtë dyshe të lojtarëve. Prandaj shqetësimi i vetëm që duhet të marrë zgjidhje është saktësimi i kësaj dysheje pranë skuadrës. "Deri tani jam mjaft i kënaqur, sidomos në aspektin e përgatitjes fizike. Është punuar në maksimum nga të gjithë dhe deri tani gjithçka ka shkuar shumë mirë", thotë Josa. Ndërkohë, ai vazhdon mendimin e tij: "I vetmi shqetësim deri tani është zgjidhja sa më e shpejtë e firmosjes së dyshes së sapoardhur, Delain dhe Leandro. Ata janë shkrirë shpejt me ekipin, por nga ana tjetër janë një shqetësim, ndoshta i vetmi deri tani, për të cilin duhet të punohet në mënyrën më të shpejtë të mundshme për t'u zgjidhur. Ne kemi ndërtuar edhe strategjinë tonë me këto dy futbollistë në përbërje të ekipit, prandaj i duhet dhënë drejtim sa më shpejt". Ndërkohë, tekniku shprehet mjaft i kënaqur me atë që kanë ofruar dy lojtarët këto ditë pranë kuqebluve. Madje për Josën, i cili njëherësh ka pasur mundësinë t'i shohë ata me skuadrat e mëparshme, gjendja e tyre cilësohet të jetë më e mira. "Që kur i njoh të dy lojtarët, nuk i kam parë ndonjëherë më mirë në përgatitjen e tyre. Me të vërtet më kanë lënë shumë mbresa", thekson tekniku kuqeblu.

Merkato

Kur kanë mbetur më pak se dy javë për të filluar kampionati, merkatoja për ekipin kuqeblu thuajse mund të quhet e përfunduar. Kjo ndoshta edhe nga koha, që tani nuk premton, megjithëse, vetë Josa deklaron se nëse do të ketë një emër të fundit, ai mund të jetë vetëm një futbollist që njihet mirë për vlerat e tij. Kështu, mesa duket, tekniku ka kryer përfundimisht afrimet e tij për sezonin e ri, duke u mjaftuar me ardhjet e fundit, të cilët pret me padurim t'i zyrtarizojë. "Afrimet e momenteve të fundit kanë rezultuar se janë të panevojshme, prandaj nuk mendoj se kemi më kohën e mjaftuar për të afruar futbollistë të panjohur pranë nesh. Tashmë ka mbetur veç një javë dhe është shumë vonë për të vendosur. Nuk mendoj se është në të mirën tonë të ngutemi me afrime pa i njohur. Ndërkohë, në këto momente mund të afroja vetëm një lojtar të cilin unë e njoh mirë dhe mund të vendos me gjithë përgjegjësinë time. Të jem i sinqertë nuk kam ndonjë emër për të dhënë. Ato emra, për të cilët unë mund të dilja si garant kanë gjetur ekipet e tyre për sezonin e ri", përfundon tekniku i ekipit shkodran, Mirel Josa.

Panorama Sport

Komentet