Ekipi shkodran në këtë javë stërvitore ka qenë thuajse i plotë që në fillim të saj. Disa emra shumë cilësorë janë parë pranë kuqebluve, të cilët kanë bërë të mundur që në një mënyrë apo në një tjetër, merkatoja e Vllaznisë të jetë drejt përfundimit. Kjo, jo se nuk po kërkojnë më lojtarë cilësorë, të cilët duhet t'i vënë në dispozicion, por ndoshta aty ku ekipi shkodran po ndjen tani vështirësitë e tij, është pikërisht gjetja e emrave të përshtatshëm dhe cilësorë. Megjithatë, afrimi i lojtarëve që u bashkuan me skuadrën këtë javë si Delain, Leandro, Belisha e Kapaj, kanë bërë që konkurrenca të jetë më e madhe. Një gjë të tillë e shpreh edhe portieri veteran Armir Grima, i cili është bërë dhe trajneri i fushës për Vllazninë. Për "gardianin" e portës kuqeblu, këto afrime cilësore do të rrisin së tepërmi nivelin e ekipit në këtë sezon të ri. "Mund të them se janë afrime tepër cilësore. Janë pikërisht afrimet që na duhen për të pretenduar në këtë sezon", thekson Grima, ndërsa mendimin e tij e vazhdon me faktin e thjeshtë se gjithë këto afrime cilësore do të rrisin në mënyrë të vazhdueshme e të ndjeshme konkurrencën në skuadër. "Tërë këto afrime nuk bëjnë asgjë më shumë e asgjë më pak, vetëm se do të rrisin konkurrencën brenda ekipit. Të gjithë e dinë mirë se një ekip që ka konkurrencë brenda tij, ka shumë premisa për të shkuar përpara. Tani mendoj se jemi në një gjendje optimale, përsa i përket plotësimit me lojtarët cilësorë që u premtuan. Por për mendimin tim, kjo nuk do të thotë që të mos kemi edhe të tjerë futbollistë pranë nesh", vazhdon portieri Grima. Përgatitja Portieri kuqeblu vlerëson edhe përgatitjen e ekipit të tij në këto ditë të mbingarkuara në Malin e Zi. Së pari, ai vlerëson punën që po kryhet nga të gjithë pjesëtarët e ekipit, për të bërë të mundur që për sezonin e ri gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme. "Mund të them se përgatitja e të gjithëve në këto ditë të mbingarkuara është optimale. Megjithatë, ajo që nuk ka shkuar mirë mund të quaj vetëm dëmtimet e katër shokëve të skuadrës. Ndoshta mund të jetë e vetmja gjë që nuk ka shkuar siç duhet gjer në këto momente", thekson më pas Grima. Ndërkohë që duket se portieri veteran edhe për një vit as që ka ndërmend që të lëshojë në formen e tij sportive. Ai pavarësisht një dëmtimi gjatë takimit të parë në turin e dytë të Kupës Intertoto në Trabzon, është rikthyer përsëri në gjendjen e mëparshme. "Gjendja ime mund të them se është e mirë. Nuk ka pasur më asnjë problem pas atij dëmtimi që pësova në Turqi. Shpresoj që këtë gjendje ta ruaj edhe në vazhdim", përfundon portieri shkodran, Armir Grima.
Panorama Sport
Panorama Sport
Komentet