Nuk është më një thashetheme, që është i destinuar të mbetet para një kafeje në lokalet e Shkodrës. Nuk është më vetëm një ëndërr e Vllaznisë, për të pasur njërin prej lojtarëve më përcaktues të kampionatit shqiptar. Është shumë më shumë se kaq: mes kuqbluve dhe mesfushorit të Tiranës dhe ekipit tonë kombëtar, Klodian Duro, është një tratativë e vërtetë. Me të gjithë elementët e saj në fund të së cilës një lëvizje e Klodian Duros drejt qytetit verior, është më se reale.. Pavarësisht se vetë Duro nuk ka konfirmuar ende asgjë, dje në Shkodër “karta Duro” ka qenë sërish një çështje e dorës së parë. Burimet pranë klubit Vllaznia thonë se të autorizuarit e presidentit Fushaj (I cili nga ana e tij vazhdon të pushojë në plazhin e Budvës në Mal të Zi), janë në pritje vetëm të një sinjali nga Klodi për të bërë hapat e duhura, në mënyrë që mesfushori elbasanas t’ë ketë gjithçka gati për të nënshkruar me Vllazninë. Madje, burime nga klubi që duan të qëndrojnë anonime, për herë të parë kanë zbardhur dje edhe detaje shumë të rëndësishme nga bisedimet që janë bërë për këtë problem. Vetë Duro mësohet të ketë kërkuar një apartament banimi, një tjetër automjet komod(përveç atij luksos që ka në pronësi vetë lojtari) që do t’i duhet Duros, për të lëvizur për nevojat e tij. Këto dy kërkesa janë menjëherë të pranuara. Kërkesa e tretë që është më e rëndësishme se të dy parat, ka të bëjë me mundësinë e transferimit të të fejuarës së Duros me studime nga Tirana në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Edhe ky problem është krejtësisht i zgjidhjëm, sipas shkodranëve. E megjithatë, Duro, ende nuk e ka bërë hapin e duhur për t’i thënë “po” Vllaznisë, me tifozët e së cilës- dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit shohin një favor të madh në garën për të nënshkruar me të- kanë një mardhënie të shkëlqyer me lojtarin. Diçka të tillë futbollisti e ka provuar, sidomos në rastet kur ekipi kombëtar ka luajtur në qytetin verior. Sidoqoftë kërkesa e katërt dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me anën financiare. Vllaznia mësohet t’i ketë ofruar lojtarit një shumë maramendëse, padiskutim të pakrahasueshme deri tani me atë të asnjë futbollisti shqiptar. Gjithsesi, edhe në pamje të jashtme të duket se ka kohë të mjaftueshme, në kampin shkodran janë të interesuar të dijnë, nëse duhet t’I bëjnë planet me, apo Duron në skuadër, sepse ditët po kalojmë, dhe tekniku Josa e do një farë orientimi për të vendosur, qoftë edhe për t’I dhënë përgjigje ndonjë lojtari që pritet të vijë nga jashtë.

Sport Ekspres

Komentet