Prej pak ditësh ka nisur një detyrë të re. Posti i drejtorit teknik që mban aktualisht te Vllaznia është një e re tjetër në CV në e Edi Martinit. Futbollisti i talentuar shkodran, pasi e ka mbyllur shpejt karrierën futbollistike, për një periudhë të shkurtër kohore ka drejtuar Luftëtarin sezonin e kaluar, ndërkohë që tashmë do të jetë në postin e drejtuesit teknik të klubit shkodran. Puna e tij aktuale është e përqendruar në rregullimin e funksionimit të ekipeve zinxhir të Vllaznisë, por vëmendja e tij nuk është asnjëherë larg as ekipit të të rriturve. Kontaktet e shpeshta me Josën dhe pjesëtarët e stafit të tij, ndërhyrja te menaxherë të ndryshëm për të gjetur lojtarë cilësorë, janë gjëra të përditshme për të. Ekipi është nisur të hënën drejt Nikshiqit dhe në radhët e tij kanë qenë 22 futbollistë, por ndërkohë Martini bën të ditur se ky numër do të shtohet në ditët në vazhdim. Kjo ngaqë me ekipin do bashkohen edhe disa futbollistë të huaj, por edhe të rinj të ardhur nga ekipet zinxhir. Për këta të fundit duket se ka rilindur shpresa për të realizuar ëndrrat e tyre, kalimin te Vllaznia, dhe drejtori teknik nuk ka dëshirë që kjo ëndërr e këtyre të rinjve të mos realizohet. "Në ditët në vijim do të bashkohen me ekipin edhe disa lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për disa futbollistë të huaj, të cilët do të provohen me idenë për të gjetur lojtarë cilësorë. Nga ana tjetër, deri në fund të kësaj jave do të fillojmë të dërgojmë edhe 3 4 futbollistë të rinj në Nikshiq. Ata do të përzgjidhen nga elementët më të mirë të ekipit të të rinjve dhe do t'u jepet shansi që të provohen tek ekipi i parë.

Deri para pak kohësh te të rinjtë kishte humbur dëshira se një ditë mund të kalonin te Vllaznia dhe prandaj ne po u bëjmë të mundur që këtë dëshirë të tyre t'ua realizojmë," thotë drejtori teknik Martini. Sakaq i pari nga futbollistët e rinj që do të bashkohet me skuadrën në përgatitoren e Nikshiqit do të jetë sulmuesi Perfati, i cili pritet të jetë në Mal të Zi deri nga fundi i javës. Pas tij pastaj do të jenë edhe 2 3 të tjerë, të cilët do të kenë shansin të shprehin vlerat e tyre më të mira. 32-vjeçari Martini, që ka qenë një futbollist shumë i talentuar i fushave të blerta, ndërkohë flet edhe për merkaton e kuqebluve. Ai e pranon haptazi se me përbërjen aktuale që ka skuadra, ajo nuk mund të pretendojë për trofe. Pra, duhen të tjerë lojtarë dhe këtë krahu i djathtë i presidentit Fushaj e thotë pa dorashka: "Vllaznia, për të qenë vërtet aty ku duhet, sigurisht që duhet të marrë edhe të tjerë lojtarë. Kuptohet, flasim për një skuadër që do të pretendojë, prandaj jemi duke bërë përpjekjet maksimale për të sjellë në skuadër futbollistë cilësorë. Leandro, për shembull, vjen të premten, po ashtu presim edhe Delainin dhe të tjerë. Ajo që e kemi të qartë dhe objektiv në merkato është gjetja e një mbrojtësi të djathtë, një organizatori dhe një sulmuesi. Për këtë arsye jemi duke kërkuar të kemi në provë disa futbollistë dhe prej tyre do të zgjedhim ata më të mirët." Në këtë mënyrë shkodranët janë në "aksion" për të plotësuar skuadrën. Përpjekjet që po bëhen janë maksimale dhe në javët në vijim është e sigurt se Josa do të ketë më tepër lojtarë në dispozicion për të ndërtuar Vllazninë pretendente për trofe.

Sporti Shqiptar

Komentet