Aventura e kuqebluve në arenën ndërkombëtare për këtë sezon tashmë po merr fund. Pas dy ditësh, më saktë pas të shtunës në darkë, Vllaznia do të mbyllë kapitullin e Intertotos dhe do të bëhet gati të nisë një tjetër, atë të kampionatit të ri. Ende pa u luajtur ndeshja e kthimit me Trabzonsporin, kanë filluar të bëhen edhe analizat e pjesëmarrjes në këtë kompeticion. Shumëkush e konsideron pozitive, ngaqë u kalua një tur dhe tashmë, megjithëse u humb thellësisht me turqit, një rezultat i mirë të shtunën ndaj tyre në "Loro Boriçi" rregullon çdo gjë. Nga ana tjetër, trajneri Mirel Josa i konsideron këto 4 takime si ndeshje të mirëfillta kontrolli, që i kanë shërbyer skuadrës për të vazhdimësinë e saj. "Ka qenë një pjesëmarrje e lodhshme, megjithatë i ka shërbyer skuadrës për mirë. Unë do t'i konsideroja 4 ndeshje të forta kontrolli që kemi zhvilluar, nga ku kemi parë të mirat dhe të këqijat e skuadrës.
Thjesht do të na shërbejnë shumë për vazhdimësinë," është shprehur ai. Kaq mjafton për të thënë se ky ishte qëllimi maksimal i shkodranëve, kalimi i një turi dhe më pas lamtumira prej këtij kompeticioni jo shumë të vlerësuar. Sakaq, drejtuesit kuqeblu tashmë kanë filluar të bëjnë planet për post Trabzonsporin. Rreth 20 22 korrikut, ekipi mendohet të niset drejt Bosnjës, vend që duket se është përzgjedhur për të zhvilluar sivjet fazën përgatitore. Josa me shumë të ngjarë para se t'i thotë "OK" kësaj ideje për vendin se ku do të stërvitet skuadra, ka shprehur dëshirën për të prekur vetë me këmbët e tij kampingun boshnjak. "Jam informuar nga drejtuesit e klubit se fazën përgatitore mund ta zhvillojmë në Bosnjë, por kjo gjë ende nuk mund të quhet e mbyllur përfundimisht, sepse më parë duhet ta shohë me sytë e mi këtë vend dhe a i plotëson kërkesat tona," ka deklaruar "timonieri" i Vllaznisë.
Por kur i thua se në atë kamping në Bosnjë mendohet të stërvitet edhe Hajduku i Splitit, atëherë Josa bën një prapa-kthehu, teksa shton: "Nëse edhe Hajduku i Splitit do ta zhvillojë fazën përgatitore në atë vend, unë s'ka nevojë të shkoj fare për inspektim, por dua të sigurohem për këtë fakt." Kuqeblutë kësisoj do të kenë vetëm një javë pushim pas ndeshjes të së shtunës me Trabzonsporin. Një javë që nuk do t'u mjaftojë atyre as për të rigjeneruar forcat e humbura prej një muaji në pjesëmarrjen rraskapitëse të futbollit. Megjithatë, zgjidhje tjetër nuk ka, kampionati është në prag, më 25 gusht, dhe si rrjedhojë stërvitja duhet nisur sa më shpejt. Përveç kësaj, java që vjen duhet të jetë shumë e ngarkuar edhe me përpjekjet për të plotësuar ekipin me lojtarë të tjerë. Intertotoja u ka treguar më së miri drejtuesve të Vllaznisë pikat boshe të skuadrës, prandaj ato duhen mbyllur sa më shpejt. Kuptohet, nëse duan që gjërat të shkojnë sa më mirë, lojtarët e piketuar për t'u veshur kuqeblu duhet të jenë me skuadrën që nga dita e parë e përgatitores së Bosnjës. Ndryshe shkodranët do t'i vuajnë pasojat e Intertotos edhe në sezonin e ri.

Sporti Shqiptar

Komentet