Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Oto Bariç, ka mohuar "akuzat" më të reja të mediave të Tiranës, se ai është duke informuar klubet kroate për kundërshtarët e tyre në Kupat e Europës. Triologjia e përballjeve filloi me Vllazninë, e cila, në turin e parë të Kupës Intertoto ka eliminuar Zagrebin, ndërsa në Kupën UEFA, Teuta do të përballet dy herë me Slaven Belupon.

Po ashtu, në rast kualifikimi të Tiranës, nga dueli me Domzhalen sllovene, kampionët bardheblu i pret Dinamo e Zagrebit. "Të them të drejtën, kualifikimi i Vllaznisë nuk ka qenë i pritur në Kroaci. Por, personalisht kam qenë i bindur se Vllaznia mund të fitonte dhe në të vërtetë ashtu ndodhi, e kaloi turin," - të thotë Bariç në një bisedë telefonike. Ndërsa pyetjes nëse Teuta mund ta fitojë përballjen me Slavenin, Bariç i është përgjigjur: "Slaven Belupo është ekip edhe më i mirë se Zagrebi. Në anën tjetër Teuta ka humbur Xhafën, që është një lojtar shumë i rëndësishëm. Mendoj se Belupo ka një përparësi më të vogël në këtë aspekt. Shikoni, Slaven është një ekip shumë me eksperiencë dhe durrsakët, meqenëse kanë humbur Xhafën, vështirë se do të mund ta kompensojnë mungesën e tij. Belupo ka humbur finalen e Kupës së Kroacisë me Dinamon e Zagrebit minimalisht dhe vetëm në sajë të fatit (1-0, 1-0). Kjo tregon se është fjala për një ekip me eksperiencë." Trajneri veteran i kuqezinjve të kombëtares së Shqipërisë i ka quajtur qesharake shkrimet në media se ai po informon kundërshtarët kroatë në dëm të ekipeve shqiptare. "Eshtë njësoj si ju tani që më pyesni mua për Belupon. Për shembull, Vllazninë nuk e njoh edhe aq mirë. Unë njihja vetëm Sukajn dhe Sinanin për shembull. Për ekipin shkodran kam thënë vetëm se ka dy sulmues të mirë, luan shtruar dhe po rindërtohet për sezonin e ri. Besoj se këto nuk janë sekrete, as ndihmesë e madhe për Zagrebin. Nuk i njoh si duhet edhe mjaft ekipe të tjera shqiptare.

Njoh pak Tiranën dhe mund të njoh ndonjë individ, por jo ekipet. Më shumë fryhen gjërat, sesa janë në realitet, në mediat shqiptare. Ndërsa gazetarët nuk e di pse shkruajnë se Bariçi po e bëka këtë punë. Vërtet kjo më duket qesharake. Pse po u dashka përherë të flitet për implikimin tim,"- tha ai. "Oto Maximale" thotë se madje është në interesin e tij që të fitojnë ekipet shqiptare. "E vërteta është se dëshiroj që ekipet shqiptare të fitojnë. Pse? E para është se do të kem edhe më shumë lojtarë për zgjedhje për kombëtaren shqiptare, dhe e dyta, shumë njerëz e nënçmojnë futbollin shqiptar, por kur pësojnë humbje nga ekipet shqiptare, sigurisht që do të thonë se Oto është trajner i një përfaqësueseje mjaft të fortë. Kështu, Vllaznia nderoi mua dhe Shqipërinë,"- përfundon fjalët trajneri i kombëtares sonë Oto Bariç, rreth fjalëve të përhapura këto ditë në shtypin sportiv shqiptar.

Sporti Shqiptar

Komentet