Rezultati i ndeshjes së parë, për më tepër loja e zhvilluar nga ekipi i tij, e kanë ngrohur shumë Mirel Josën. Ai tashmë e ka për detyrë të bëjë gati skuadrën ashtu siç duhet për ndeshjen e kthimit, në mënyrë që Vllaznia të jetë skuadra e kualifikuar për në turin tjetër. Në Zagreb, sipas trajnerit të kuqebluve, ekipi ka dhënë maksimumin e tij dhe kjo në njëfarë mënyre e ka bërë edhe më tepër entuziast atë. Ndoshta nuk e ka pritur një paraqitje të tillë, për vetë faktin se në krahasim me kroatët, që ishin në kulmin e stërvitjes, shkodranët kanë qenë shumë prapa në këtë drejtim. "Ajo për të cilën jam më shumë se për gjithçka tjetër i kënaqur, është paraqitja e Vllaznisë në atë ndeshje. Nga një ekip që mendohej se do të mundej lehtë, madje me rezultat të thellë, u shfaqëm një ekip i denjë dhe me pak shans më tepër mund ta kishim fituar takimin. Megjithatë, rezultati 2‑1 është shumë i favorshëm për ne dhe për më tepër më ngroh loja që kemi zhvilluar. Ekipi i Zagrebit është në fundin e fazës përgatitore, ngaqë pas tri javësh nis kampionati kroat, ndërsa ne gjatë këtyre dy javëve jemi stërvitur vetëm sa për të mbajtur trupin në formë, sepse në një periudhë kaq të shkurtër nuk mund të merrnim ngarkesat e duhura.

Për të gjitha këto arsye, unë jam shumë i kënaqur me ndeshjen e parë," ‑ ka shpjeguar Josa rezultatin e ndeshjes së parë. Ndërkohë, gjatë kësaj jave, skuadra shkodrane është duke u bërë gati për sfidën e kthimit. Në "Loro Boriçi", të shtunën duhet vetëm një 1‑0 dhe Vllaznia kualifikohet për në turin tjetër. Ky do të ishte një sukses jo vetëm për skuadrën, por për të gjithë futbollin shqiptar, sepse do të kalonim një skuadër jo të nivelit të rëndomtë, por që përfaqëson Kroacinë dhe që në stol ka një emër të madh si Blazeviç. Vetë trajneri i ekipi shkodran ka besim se kualifikimi është plotësisht i arritshëm, por për këtë arsye duhet bërë shumë kujdes, prandaj shton: "Për ndeshjen e kthimit duhet të bëjmë shumë kujdes. Na duhet vetëm një fitore minimale dhe Vllaznia do të ishte në turin tjetër, duke gëzuar kështu veten, presidentin, tifozët dhe të gjithë. Por për të mundur kroatët nuk do të jetë kaq e lehtë.
 
Ata kishin një ekip mjaft të mirë dhe, çka ishte më kryesorja, prej dy vitesh kishin një stereotip loje të pandryshueshëm, çka e bën Zagrebin një skuadër shumë kompakte, prandaj dhe duhet të kemi shumë kujdes në administrimin e lojës." Kroatëve në këtë ndeshje do t'u mungojë sulmuesi kryesor, i dalë me karton të kuq në ndeshjen e së shtunës së kaluar, por edhe Vllaznia do të ketë mungesa. Josa thotë se Sinani thuajse nuk llogaritet fare për të qenë në këtë takim, ngaqë ende nuk ka prekur top me këmbë në këtë periudhë. Ndërkohë rikthehet Sukaj, që mungoi në ndeshjen e parë, por për fatin e keq mund të jetë jashtë Dalipi, i cili u dëmtua në Zagreb. Po ashtu, do të mungojë edhe Ahi i ndëshkuar me karton të kuq në takimin e parë dhe kësisoj gjërat nuk janë aq në rregull për kuqeblutë. Megjithatë, të gjithë presin prej tyre kualifikimin dhe prandaj duhet shpresuar në këtë fakt.

Sporti Shqiptar