Ka mbetur i kënaqur nga rezultati i takimit të parë të Intertotos, mbi të gjitha për rezultatin e arritur, ngaqë lë vend për shpresa kualifikimi në turin e dytë. Valter Fushaj është takuar në pragndeshjen me Zagrebin edhe me presidentin e vendit, Alfred Moisiu, dhe pikërisht ky takim duket se i ka motivuar edhe më tepër futbollistët e Vllaznisë në kërkim të një rezultati sa më të mirë. Pasi ka marrë vesh për ballafaqimin e futbollistëve shkodranë me kroatët e Zagrebit, Presidenti Moisiu ka ftuar në ambientet e hotel "West", ku ai ishte i akomoduar, numrin një të klubit të Vllaznisë, Valter Fushaj. Ky i fundit, pas kthimit në Shqipëri, ka folur me fjalë të mira për gjithçka u rezervoi atyre Kroacia dhe foli njëkohësisht edhe për disa probleme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve tek ekipi që ai sponsorizon.

‑ Cilat janë përshtypjet tuaja pas kthimit nga Zagrebi?

‑ Shumë të mira. Pritja që na rezervuan drejtuesit e ekipit vendës, atmosfera dhe gjithçka tjetër që ka pasur të bëjë me ndeshjen, ka qenë në lartësinë e duhur. Por mbi të gjitha na ka bërë përshtypje dhe lënë shumë mbresa takimi që patëm me Presidentin tonë, Alfred Moisiu. Ai ndodhej në Kroaci për arsye pune dhe, kur e mori vesh se ne do të luanim atë ditë ndaj ekipit vendës të Zagrebit, na ftoi në një takim, ku na uroi fat dhe kërkoi nga ekipi i Vllaznisë që përmes lojës së mirë, të nderonte jo vetëm emrin e këtij klubi, por gjithë Shqipërinë.

‑ Dhe mendoni se ia arritët me lojën që ekipi juaj zhvilloi?

‑ Mendimi im është se po. Kemi bërë një ndeshje të mirë, ndonëse me mungesa në formacion. Djemtë luajtën fort dhe rezultati mund të kishte shkuar edhe 2‑1 për ne, por futbolli kështu e ka, do edhe pak fat, sepse po nuk shënove, do ta pësosh.
 
‑ Çfarë ju bëri përshtypje nga paraqitja e ekipit në këtë takim?

‑ Mobilizimi i të gjithë lojtarëve për të arritur një rezultat sa më të mirë. Megjithëse humbëm, besoj se u paraqitëm denjësisht, duke hedhur edhe një gjysmë hapi drejt kualifikimit për në turin tjetër. ‑ Meqë përmendët lojtarët, si qëndron e vërteta e pezullimit të Dabullës?

‑ Dabulla është i pezulluar pa afat dhe i gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra. Nëse atij nuk i pëlqejnë këto vendime, është i lirë të paguajë këtë shumë parash, pra 5 milionë lekë, dhe të largohet nga Vllaznia.

‑ Deri kur do të vazhdojë pezullimi i tij?

‑ Pezullimi është pa afat për këtë lojtar.

‑ A bëhet fjalë për baste dhe implikime në to?

‑ Arsyen pse është pezulluar Dabulla e kam thënë dhe po e përsëris: për mosimpenjim dhe mungesë serioziteti në skuadër.

‑ Së fundi, vërtet besoni se Vllaznia do të jetë skuadra që do të ndeshet në turin e dytë me Trabzonsporin?

‑ Po, besoj shumë në këtë gjë. Këtë besim e bazoj te skuadra, por edhe te lojtari i 12‑të, tifozëria kuqeblu. Ajo ka qenë gjithnjë e zjarrtë në mbështetje të ekipit të vet dhe kështu besoj se do të jetë edhe të shtunën në "Loro Boriçi".

Sporti Shqiptar

Komentet