Ka ndodhur ajo që dëshirohej dhe mbi të gjitha shpresohej. Vllaznia në Zagreb ka luajtur mirë, ka shënuar një gol, që megjithëse nuk ka shërbyer për t'i dhënë barazimin ose fitoren ekipit të Vllaznisë, është një hap i hedhur për ndeshjen e ardhshme. Në "Loro Boriçi", të shtunën që vjen, gjithçka është e hapur. Vetëm 1‑0 do të mjaftonte që kuqeblutë ta shihnin veten në turin tjetër të Intertotos. Dhe nuk është pak të përballesh me një skuadër të tillë si Trabzonspor i Turqisë. Mbi të gjitha, interes do të kishte jo vetëm në pjesëmarrje, por edhe në ndonjë të drejtë televizive, që do të thoshte më tepër lekë në arkën e klubit shkodran. Në të vërtetë, ky është objektivi kryesor i të gjitha ekipeve tona, në mënyrë që bilancet e tyre të zbuten paksa nga pjesëmarrje të tilla.

Prandaj vetë fakti se do të ndesheshim me një ekip turk, do të ishte një garanci më tepër për këtë. Pavarësisht kësaj, ende asgjë nuk është e përfunduar në këtë drejtim. Në Zagreb është hedhur hapi i parë, por ai nuk mjafton. Aq më tepër kur vetë trajneri Josa bën thirrje për qetësi, ngaqë u druhet kroatëve, mbi të gjitha sulmit të tyre shumë cilësor. Edhe vetë Vllaznnia kuptohet që nuk do të qëndrojë prapa në këtë drejtim. Fakti se për ndeshjen e kthimit do të jenë në dispozicion të stafit drejtues edhe tri forca më tepër, flet vetë. Kështu mbrojtësi Dabulla, që nuk luajti për arsye shëndetësore në ndeshjen e parë, këtë radhë pritet të jetë i gatshëm për të luajtur, duke qenë një garanci më tepër në mbrojtje. Por pavarësisht këtij fakti, edhe Kotrri që luajti në vend të tij në Zagreb, e ka bërë siç duhet detyrën e tij, duke qenë në lartësinë e duhur. Përveç tij, i gatshëm do të jetë edhe sulmuesi Sukaj, i cili për arsye vize nuk mundi të udhëtonte drejt Kroacisë. Madje për këtë lojtar do të jetë avantazh fakti se nuk luajti në takimin e parë dhe është më i freskët për të shtunën.

Po ashtu, edhe Sinani me shumë mundësi do të jetë në dispozicion të stafit drejtues për këtë ndeshje. Nga ana tjetër, shumë pozitiv është debutimi i dyshes së Luftëtarit, Nora‑Simo, në takimin e dy ditëve më parë. I pari megjithëse nuk ka luajtur në majë të sulmit, sërish ka arritur të shënojë, duke e bërë në mënyrën më të mirë të mundshme debutimin e tij me kuqeblutë. Lojë të mirë ka zhvilluar edhe kamerunasi Simo, që ka dhënë shenja të mira për skuadrën shkodrane në këtë ndeshje, duke luajtur në mesfushë përkrah Osjes. E shtuna në këtë mënyrë pritet me interes të madh në Shkodër. Zhvillimi i ndeshjes në orën 20:00 nën dritën e projektorëve ia shton edhe më tepër emocionet këtij takimi. Gjërat janë të hapura dhe për rrjedhojë edhe shpresat për të kaluar në turin e dytë të Intertotos. Do të ishte pa dyshim një fillim i mirë i prezantimit të sivjetëm të skuadrave shqiptare në kupat e Europës.

Sporti Shqiptar

Komentet