Kuqeblutë janë duke zhvilluar përgatitjet e fundit për ndeshjen e parë të Kupës Interoto me ekipin e NK Zagrebit. Trajneri Josa është në hapat e fundit të punës së tij dhe kuptohet që i është dashur ta bëjë skuadrën gati për këtë ndeshje ashtu siç është. Ajo që kuptohet nga të gjithë është se kjo skuadër nuk është në ato nivele përfaqësimi që pritej. Ajo konstatohet lehtë në listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për të luajtur në këtë takim. Shohim që ka shumë mungesa të rëndësishme, ku mbi të gjithë spikat ajo e Sinanit, që siç kemi bërë të ditur, nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur në këtë takim meqë ende nuk e ka formën e duhur. Kjo gjë do ta detyrojë Josën të ndërtojë një mënyrë të re sulmi me lojtarët që ka në dispozicion. Nga sa është parë në seancat e këtyre ditëve, Klevis Dalipi do të jetë lojtari i vetëm që do të luajë në vijën e parë. Një zgjidhje e tillë ka qenë në njëfarë mënyre e detyruar nisur edhe nga fakti se Sukaj nuk po kalon një gjendje të mirë dhe ai është gati për t'iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në muskujt e barkut. Elbanasi Dalipi do të ketë nga pas dyshen tjetër, të përbërë nga Kaçi e Nora. I pari i spostuar disi nga krahu i majtë, ndërsa gjirokastriti në të djathtin.
 
Një skemë e tillë është përdorur shpeshherë nga ana e kuqebluve sezonin e shkuar, sidomos në ndeshjet jashtë. Mesfusha do të jetë e përbërë nga katër lojtarë dhe këtu janë disa dilema për t'u sqaruar. Të sigurt në qendër duket se do të jenë Osja me kamerunasin Simo, ndërkohë që në krahun e majtë mund të luajë Lika e në të djathtin Ahi, Hoti mbase edhe A.Beqiri. Gjithsesi, për këtë repart ende mbetet për t'u parë nëse mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër, por alternativat janë të pakta në këtë mes. Mbrojtja dhe porta ndërkohë nuk ndodhen në të njëjtat pozita, kjo edhe ngaqë këto reparte janë të konsoliduara tashmë, por edhe për një arsye tjetër. Në prapavijë treshja Teli‑Lici‑Dabulla nuk ka asnjë alternativë më të mirë për ta zëvendësuar, ndërsa në portë Grima është i padiskutueshëm. Ky do të jetë pak a shumë formacioni me të cilin Vllaznia pritet të luajë në Zagreb në kërkim të një reparti pozitiv. Siç shikohet edhe nga formacioni, kuqeblutë do të shkojnë me idenë e kërkimit të një barazimi, por e pranueshme do të jetë edhe një humbje minimale, për t'i lënë pastaj shpresat të varura te takimi i kthimit. Kuptohet, forma e disa prej lojtarëve shkodranë nuk është ajo më e mira në këto momente, por ata do të përpiqen të bëjnë maksimumin në fushë. Paraqitja e Vllaznisë në këtë ndeshje pritet me interes edhe në një drejtim tjetër. Bëhet fjalë për mënyrën si do t'i përballojnë kroatët, drejtuesit e të cilëve janë shprehur në shtyp se nuk e llogarisin fare këtë skuadër për të kaluar në turin tjetër. Ambicia për të mos e bërë realitet këtë thënie ka shumë mundësi të jetë një arsye më tepër që ekipi ynë të mos paraqitet sa për formalizëm në këtë ballafaqim.

Sporti Shqiptar