Ashtu siç është deklaruar, stërvitja e ekipit shkodran do të nisë më datën 6 qershor. Ende nuk është përcaktuar vendi se ku do stërvitet ekipi në dy javët e përgatitjeve për ndeshjet e Intertotos, por e rëndësishme është që skuadra të jetë e kompletuar për këto sfida ndaj NK Zagreb. Në sezonin e kaluar, natyrisht që e ka pasur në kontratë secili prej lojtarëve për të luajtur edhe në ndeshjet e kupave të Europës, prandaj, në njëfarë mënyre, ishte gati vetëm për të nisur stërvitjen. Por gjërat në kampin shkodran kanë ndryshuar e këtu e kemi fjalën tek largimi i Gudjabit dhe Miroçit që pas përfundimit të kampionatit të kaluar, për të vazhduar me lënien të lirë edhe të Radusinoviçit, siç thuhet, ndërkohë që edhe Bejzade ka firmosur me Partizanin.

Burime pranë klubit "Vllaznia" bëjnë të ditur se "Arusha" nuk do të merret për ndeshjet ndaj kroatëve, megjithatë kjo mbetet për t\'u parë në ditët e ardhshme. Sakaq, trajneri Josa, që në momentet e rikonfirmimit të tij në krye të kësaj skuadre, për të dytin sezon radhazi, i ka bërë një kërkesë presidentit Fushaj. Lojtarët që do të luajnë në Intertoto duhet të kenë të firmosura kontratat për gjithë sezonin e ardhshëm, sepse ai nuk do përforcime vetëm për Intertoton. Në këtë mënyrë, futbollistët që pritet të dalin në stërvitje ditën e mërkurë në "Loro Boriçi", duhet të jenë të gjithë me kontrata të firmosura. Presidenti Fushaj në këtë mënyrë ka tri ditë kohë në dispozicion për këtë gjë, kohë kjo më se e mjaftueshme, por edhe jo. Megjithatë, tratativat janë të hapura me shumë lojtarë dhe në këtë mënyrë ato mund të përfundojnë vetëm brenda pak orësh. Ata që presin të firmosin janë disa, por në radhë të parë duket se janë Sinani, Nora e Kaçi.
 
Me ta është biseduar dhe gjërat duken në rrugë të mbarë. Ndërkohë, për lojtarët e tjerë, mbase duhen edhe disa ditë për të vendosur, megjithatë kohë nuk ka shumë në dispozicion. E mërkura është në prag dhe atë ditë në stërvitje duhet të jenë të gjithë lojtarët e dëshiruar nga ana e stafit drejtues. Aq më tepër kur klubi ka shpallur objektivin e tij, kalimin e një turi të Intertotos. Kjo natyrisht që nuk është e lehtë, por edhe jo e paarritshme. Kroatët në vetvete kanë një ekip kryesisht me lojtarë të rinj, që luajnë futboll të shpejtë dhe përballë tyre duhet djersitur jo pak. Fakti që ndeshja e parë luhet në Zagreb, është një plus për Vllazninë, por jo gjithçka, sepse kualifikimi vendoset pas dy takimeve të luajtura.

Deri të mërkurën, kuqeblutë dhe më konkretisht presidenca e tyre, do të ketë "ditë sulmi" për të sjellë në skuadër lojtarët e duhur. Kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse futbollistët përgjithësisht nuk parapëlqejnë të firmosin kontrata në këto momente, duke dashur të testojnë tregun deri në fund. Për Vllazninë kohë nuk ka dhe, për pasojë, ky është një minus në këtë drejtim. Megjithatë, presidenti Fushaj ka premtuar se do të bëjë më të mirën e mundshme për skuadrën.

Komentet